Një muze për figurat historike në Durrës. Idriz Balani: – Me skulpturën e parkut jemi deficitarë
Një muze për figurat historike në Durrës. Idriz Balani: – Me skulpturën e parkut jemi deficitarë
Idriz Balani rrëfen jetën e tij, si skulptor. Artisti që prej 40 vitesh trajton tematikat historike, këto ditë e gjejmë duke punuar që studion e tij në qytetin e Durrësit ta kthejë në muze
27 Shkurt, 2021
Nga: Artur Korriku
Skulptura është vet motivi i jetës së tij. Prandaj, çdo mëngjes për mëse 40 vite e nis në studion e tij, me daltë dhe çekiç në duar, duke gdhend veprat e artit, portretet e heronjve të njohur të popullit shqiptar, që sot janë ekspozuar në hapësira publike brenda dhe jashtë vendit. Bëhet fjalë për artistin Idriz Balani, i lindur në Konispol dhe i rritur në Durrës, ‘në mekën’ e skulptorit Sabri Tuçi
“Unë jam rritur në studion e profesor Sabri Tuçit. Aty e nisa, edhe aty jo vetëm që kam mësuar shumë nga profesor Sabriu, por kam njohur edhe disa nga personalitet e asaj kohe, si Andrea Mano, Nexhmedin Zajmi etj. Të gjithë nxënësit dhe artistët e Durrësit, e kishin si Meka studion e skulptorit Sabri Tuçi”, rrëfen skulptori.
Rrjedha që mori jeta e tij në art, do të ndikohej në tematikat historike që do të trajtonte veçmas nga bisedat e përditshme në familjet e tij për masakrën ndaj çamëve
“Formimi im në periudhën që kaluam, por edhe origjina familjare dhe bisedat për masakrën çame më kanë orientuar drejt temave historike”.
Ndihma që i ka dhënë profesorit të tij Muntaz Dhramit në realizimin e Monumentit të Drashovicës, do të linte gjurmë të pashlyeshme në punën e tij si artist
“Ne kemi qenë ndihmës të profesor Muntazit, por ajo punë ka qenë më shumë se Instituti i Lartë i Arteve për ne, kishim të bënim me dhjetëra figura në bazareliev. Aty mësuam të ndërtojmë frymën monumentale që kishte vepra”, thotë artisti.
Këtë rrëfim për skulpturën Idriz Balani shpreh mirënjohje edhe për ish-pedagogët e tij, Hektor Dule, Thoma Thomai dhe Kristaq Ramën.
“Nderim, respekt për këta njerëz që na dhanë pa limit atë që kishin mësuar për veten e tyre. Ne na i dhanë në mënyrën më shpirtërore të mundshme, që të jemi këta që jemi sot”.
Gjenocidi çam në artet pamore, sipas tij, nuk është trajtuar mjaftueshëm, prandaj për këtë temë aktualisht po punon vallen e Osman Takës, me shpresën se një ditë edhe shteti shqiptar do të kthejë sytë ndaj tyre
“Për gjenocidin çam në artet pamore ka fare pak punë për fat të keq. Nuk është stimuluar një punë e tillë, unë kam punuar që fëmijë, edhe sot po realizoj “Vallen e Osman Takës’”
Vështirësia më e madhe e një artisti, është që të ndajë nga njëra-tjetra punët e tij, megjithatë emocionet që ka përjetuar nga realizimi i veprës Isa Boletini nuk harrohen lehtas,
“Më thuaj një nënë që mund të ndajë fëmijët e vet. Nuk mund të zgjedh mes tyre, por vendosja e bustit të Isa Boletinit në vendin e tij të lindjes, më ka vendosur përballë një momenti të vështirë. Pasi për të ishin bërë vepra edhe nga skulptorë të tjerë. Për realizimin e tij mua ideja më lindi nga një moment familjar, që e cilësoj si një moment shumë emocionues”.
Censurën gjatë regjimit socialist skulptori nuk e ka ndjerë drejtpërdrejt, megjithatë ‘porositë’ nga lart nuk kanë munguar as për të
“Unë nuk e kam ndierë këtë peshë, se s’jam marrë me krijimtari të lirë, por edhe se periudha ishte e shkurtër pasi mbrojta diplomën në ’80. Por kur kam qenë mësues në Ishëm po punoja për një bust heroin Rexhep Mezinin, emër që e mbante shkolla. Për këtë më kërkuan që ta ndryshoja, ajo që bëra unë ishte që ta ktheja karakterin e tij në një personazh të zakonshëm. Kjo ka qenë për shkak të interesit të politikanëve të kohës…”
Instalimi i sistemit demokratik në 1990-ën, pavarësisht pritshmërive që Balani kishte, do të bëhej më i zbehtë kur nga vendi u larguan masivisht mijëra qytetarë dhe intelektualë të kohës
“Unë me ndryshimin e sistemit isha në një moment bllokimi. Demokracinë e kërkonim, por në ato momente po iknin nga Shqipëria shumë intelektualë, gjë që e përjetova dhe vet, duke emigruar në Greqi”.
Sa i përket skulpturës së Parkut, Balani rrëfen se në vendin tonë duhet bërë më shumë, veçmas në qytetin e Durrësit ku sot nuk ka asgjë
“Për skulpturën e parkut jemi deficitar. Duhet që të ketë konkurse, që të shihet se cilët profesionist mund të marrin pjesë në to. Në qytetin e Durrësit sot nuk ka asnjë shatërvan”.
Artisti Idriz Balani përfundon se aktualisht është duke punuar për realizmin e një muzeu privat, për të cilin shpreson që një ditë të vlerësohet nga shteti dhe të vizitohet nga turistët
“Shtetit nuk i kam kërkuar asgjë. Unë po bëj punën time, dhe uroj që të një ditë muzeu të kthehet i vizitueshëm për të gjithë”, përfundon Idriz Balani.
v.d./b.ha./Shqiptarja.com