Një roman pak i njohur i Shtjefen Gjeçov-Kryeziut. –
“Shpërblesi i Botës ase Jeta e Jezu Krishtit”
“Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit”, të cilën, si duket, Atë Shtjefën Gjeçovi e shkroi gjatë qëndrimit të tij si famullitar e mësues në Zym të Hasit (1928-1929), është vepër e pambaruar në dorëshkrim, mbase vepra e fundit e Atë Shtjefën Gjeçovit. Teksti është në dorëshkrim dhe i pambaruar dhe ka 93 faqe. Një gjë, por, është evidente, Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit e Atë Shtjefën Gjeçovit do të mbetej vepër e humbur apo e harruar pa kujdesin e Imzot Nikë Prelë s, ipeshkëv. Këtë dorëshkrim, të cilin me vigjilencë e ruajti shkëlqesia e tij, po ia paraqesim në një botim të veçantë, lexuesit dhe studiuesit tonë, dhe jo vetëm atij.
Fragmente te doreshkrimit origjinal.
Dorëshkrimi “Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit” i Atë Shtjefën Gjeçovit, siç e thotë edhe vetë titulli, rrok shtjellimin dhe trajtimin e jetës së Shpërblesit të botës, jetën dhe veprën e Jezu Krishtit. Teksti është ndërtuar me një sistem tejet të organizuar e të theksuar dhe merret jo vetëm me jetëshkrimin e jetës dhe veprës së Jezu Krishtit, por edhe me shqyrtime të thella filozofike, teologjike dhe shkencore. Teksti është shkruar me një dije e përkushtim të rrallë krijues, që më në fund mbetet veçanti e shkrimeve të përgjithshme të Atë Shtjefën Gjeçovit, të cilin Faik Konica e ka vlerësuar si njërin nga njerëzit më të lartë që ka pasur Shqipëria.
Foto: Shtjefen Gjecov Kryeziu.
Kanë kaluar mbi gjashtë dekada nga koha e shkrimit të këtij teksti. Dhe sot kur, pas gjashtë dekadave, e lexojmë Shpërblesin e botës ase Jetën e Jezu Krishtit të Atë Shtjefën Gjeçovit, rëndësia e këtij teksti, e këtij libri që për herë të parë po ijepet lexuesit shqiptar, del e shumëfishtë. Sepse, së pari kemi edhe një vepër deri tash të panjohur të Atë Shtjefën Gjeçovit. Së dyti, e kemi një vepër të një krijuesi të madh, që është mbështetur fuqimisht në përvojën krijuese të traditës shqiptare dhe evropiane.
Dhe së treti, Atë Shtjefën Gjeçovi duke shkruar këtë libër (kështu ai e quan veprën e vet), deshi ta përtërijë traditën e shkrimit shqip sipas shembullit të Bogdanit duke krijuar kësodore, natyrisht, një vepër të re, origjinale e të mbështetur në baza të forta biblike, teologjike, filozofike e letrare – stilistike të traditës shqiptare dhe evropiane. Kjo vepër e Atë Shtjefën Gjeçovit në të vërtetë është një hallkë lidhëse në vargun e veprave të traditës “letrare hasjane” si do të shprehej Dh. S. Shuteriqi. Në këtë traditë do të hynin Pal Hasi, Pjetër Mazreku, Andre, Pjetër e Lukë Bogdani. Vepra e Atë Shtjefën Gjeçovit, si ndërlidhëse brenda një aktiviteti letrar dhe brenda traditës hasjane, historikisht, si do të shprehej edhe I. Rugova, mund të konsiderohet sintezë e përgjithshme e përpjekjeve shekullore, por edhe si kurorëzim i një literature me orientim thjeshtë evropian.
Dhe si e tillë, kjo vepër, edhe pse e papërfunduar, do të mbetet gur i çmueshëm në letërsinë kishtare shqiptare.
V.o. Pjesa është shkëputur nga parathënia e pergatitur nga Isak Ahmeti,1992.