“Një shfaqje e artit shqiptar”, me veprat e pesë artistëve në Uashington. –
“Një shfaqje e artit shqiptar”, me veprat e pesë artistëve në Uashington. –
Veprat e pesë artistëve shqiptarë janë ekspozuar në Uashington. 13 veprat e artit janë punime të artistëve të njohur Gazmend Leka, Ardian Isufi, Ardian Kapo, Idlir Koka dhe Eros Dibra, që janë pjesë e fondit të galerisë së artit “Kalo” janë ekspozuar në mjediset e Bankës Botërore në Uashington, SHBA. Artistët pjesëmarrës me veprat e tyre në këtë ekspozitë me titull “Pilgrimage an albanian art show” (Peligrinazh, një shfaqje e artit shqiptar), që pritet të qëndrojë për dy muaj shprehen entuziastë për këtë prezantim larg Shqipërisë. Ata pohojnë se punët e tyre që janë ekspozuar dhe më parë në galerinë e artit “Kalo” tashmë janë në Uashington për publikun, por kjo i shërben shumë dhe promovimit të artit shqiptar. Siç bëjnë me dije dhe vetë artistët me iniciativën e Drejtorit Ekzekutiv për Shqipërinë në Bordin e Drejtorëve të Grupit të Bankës Botërore, Patrizio Pagano, ekspozitë e artit shqiptar në mjediset e Bankës në Uashington ka qenë një organizim shumë i mirë. Piktori Gazmend Leka tregon se ndër punët e tij në ekspozitë janë prezantuar disa vepra si “Kthimi i kryqtarit”, “Pelegrini” “Avioni i faraonit”. “Organizatorët e ekspozitës kanë i gjetur punët tona dhe ata kanë organizuar çdo gjë, dhe mendoj që është diçka shumë e mirë për promovimin e artit tonë”, pohon piktori Gazmend Leka. Për artistin Ardian Isufi punët e tij që prezantohen në ekspozitë janë pjesë e një cikli mbi qenien humane. “Në këtë ekspozitë jam prezantuar me disa vepra, që janë gjithashtu pjesë e koleksionit të galerisë “Kalo” dhe që janë përzgjedhur nga bordi i Banka Botërore. Veprat e mia konsistojnë në një cikël të gjatë që unë kam pasur mbi qenien humane që titullohej “Gjurmë humane”, ku janë disa persiatje të njeriut të situatave emocionale, situata që lidhen me ambientin, etj. Padyshim që është një kontribut i madh i kësaj galerie për të promovuar sa më shumë artistë dhe artin shqiptar jashtë, sepse është një ekspozitë e menaxhuar shumë mirë nga Banka Botërore”, pohon mes të tjerave artisti Ardian Isufi.
Vlerat e artit shqiptar
Në një postin në rrjetin social “Facebook”, Zyra e Bankës Botërore në Shqipëri shkruan se kjo ekspozitë me vepra të galerisë “Kalo”, synon të sjellë vlerat e artit shqiptar në vëmendje të komunitetit të larmishëm ndërkombëtar të Bankës Botërore. “Investimi në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe nxitja e potencialeve krijuese bashkëkohore, tha Pagano, i shërben imazhit të Shqipërisë në botë”, thuhet në postimin e Bankës Botërore. Artistët që janë pjesëmarrës me veprat e tyre në këtë ekspozitë janë prej kohësh aktiv dhe në jetën artistike në Tiranë. Herë pas here me punimet e tyre janë prezent në aktivitete të ndryshme. Galeria e artit “Kalo” ndodhet pranë sheshit Nënë Tereza dhe hyrjes se parkut të Liqenit Tiranë. Në këtë galeri mund të gjenden edhe vepra arti nga artistë të rinj shqiptarë, që duan të promovohen. “Galeria “Kalo” kontribuon në njohjen e Shqipërisë përmes bukurisë së jetës virtuale, jetës reale, peisazheve, portreteve dhe kompozimeve të ndryshme”, pohojnë artistët. Çdo muaj hapet një ekspozitë me koleksione të ndryshme arti të artistëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Galeria ka mbështetur gjithashtu artistë të rinj dhe artistë me aftësi të kufizuar. Ndërkaq që në mjediset e saj dhe gjatë këtij sezoni nuk kanë munguar ekspozitat me veprat e artistëve të ndryshëm. Tashmë një pjesë e veprave të fondit të saj që janë realizuar nga artistët shqiptarë për dy muaj do të qëndrojnë në Uashington për publikun.
Nga Julia Vrapi