Një shkëndijë dhe shpërthen lufta. – Serbia paralajmëron kaos më 1 tetor në Kosovë, ja skenari i dhunshëm që po përgatit Vuçiç për të tronditur Prishtinën
Çështja Serbi-Kosovë është rikthyer në qendër të vëmendjes së fuqive të mëdha. Pas shumë viteve në ngërç, një paqeje të trazuar që u perceptua gabimisht si normalizim, paralajmërohen sërish trazia, duke i nisur dhe nga ndikimi i fortë i luftës në Ukrainë. Shumë ekspertë kanë dhënë alarmin se Rusia po e përdor Serbinë si satelit të saj për të destabilizuar Ballkanin. Mjafton një shkëndijë dhe shpërthen konflikti i armatosur mes Serbisë dhe Kosovës. Ndërsa nuk ngurron të akuzojë perëndimin për njëanshmëri në favor të Kosovës, Beogradi po kultivon planet e pushtimit të serbëve të veriut të Kosovës nga vetë kryeministri Kurti.
Pretendimin e bëri vetë kreu i shtetit Aleksandër Vuçiç. Vendimi për heqjen e targave të makinave që lëshoheshin në Serbi dhe riregjistrimi i tyre në Kosovë për serbët e veriut ka futur në panik Beogradin, duke pretenduar madje edhe për spastrim etnik nga qeveria në Prishtinë. Paranojat e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç se Albin Kurti do urdhërojë pushtimin e veriut të shtetit të tij në 1 tetor kanë filluar të besohen nga kabinet i qeverisë në Beograd. Gjithashtu, mbështetja që i dha Bashkimi Evropian, Prishtinës, ka nxehur edhe më shumë Serbinë.
Skenari i dhunshëm nga Serbia Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Sellakoviç thotë se vendi i tij nuk kërkon probleme në veri të Kosovës, por megjithatë ka besim se serbët atje kanë një skenar të dhunshëm për t’iu përgjigjur autoriteteve kosovare. “Serbia nuk është ajo që do të shkaktojë probleme në Kosovë, por nuk do të rrijë duarkryq ndërkohë që dikush e qëllon me shqelma e shuplaka. Serbët po kërcënohen me konfiskim të pronës private pas njoftimit të Prishtinës se nga 1 tetori do të konfiskojë automjetet me targa serbe.
Duke e njohur popullin tonë atje, ata sigurisht nuk do të pranojnë që t’u merret diçka, qoftë edhe me dhunë”, u shpreh Selakoviç. Kryediplomati akuzon Bashkimin Evropian për njëanshmëri ndaj Kosovës sa i përket dialogut dhe zhvillimit të fundit të targave. “Presidenti Vuçiç u zotua personalisht për përkushtim serioz në dialog dhe konstruktivitetin në të edhe pse u përballëm me ndryshimin e intensitetit destruktiv të dialogut nga ana e Prishtinës, i cili u shkaktuar drejtpërdrejt nga favorizimi i një grupi vendesh perëndimore, tha ministri i jashtëm.
Kurti thirrje serbëve të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje në gjuhën serbe qytetarëve serbë të Kosovës, që ta bëjnë regjistrimin e veturave me tabelat RKS dhe jo duke mbajtur tabelat ilegale. Kurti ka thënë se procesi do të bëhet nga 1 gusht deri me 30 shtator, derisa ka treguar se lehtësimet që janë bërë për pajisjen me targa RKS. “1 gusht deri me 30 shtator në 34 qendra të regjistrimit, do të jetë i organizuar procesi i regjistrimit të mjeteve, e me këtë kalimi nga tabelat ilegale, në ato të vlefshme në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës, tabela me shenjën RKS”, ka thënë Kurti ndër të tjera.
Vuçiç: Kosova të mendojë tre herë para 30 shtatorit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka folur me tone kërcënuese për çështjen e targave. Ai ka thënë se Prishtina duhet të mendojë tre herë deri më 30 shtator para se të vazhdojë të mbulojë targat e automjeteve me emrat e qyteteve serbe. Vuçiç akuzoi Kosovën se nuk është e gatshme për dialog, teksa theksoi se kanë edhe mbështetjen e fuqive perëndimore. Sipas Vuçiç, vendimi i qeverisë së Kosovës ka vetëm një qëllim “dëbimin e serbëve”. “Ne jemi gjithmonë të gatshëm për dialog, ndërsa disa të tjerë nuk janë kurrë të gatshëm për dialog përmbajtësor, por kanë mbështetjen e fuqive perëndimore, bëhet fjalë për marrjen e dy vendimeve në institucionet e tyre, njëra është shkurtimi i të drejtës për të hyrë në Kosovë me letërnjoftime. Vendimi tjetër me qëllimin e vetëm për të dëbuar serbët. Ata po llogarisin që serbët të largohen nga veriu i Kosovës”, tha Vuçiç.
Gazeta Sot