
Një shpatë e Napoleonit del në ankand
26 Prill 2025
Një shpatë që i përkiste Napoleon Bonapartit, e porositur për përdorim personal në vitin 1802 dhe e mbajtur gjatë mbretërimit të tij, do të jetë në qendër të një ankandi më 22 maj në Paris. Vlera e kësaj vepre, e ofruar nga shtëpia e ankandeve ”Giquello”, vlerësohet midis 700 000 dhe një milion euro.
“Bonaparti, atëherë Konsulli i Parë, e porositi këtë shpatë midis viteve 1802 dhe 1803 nga Nicolas-Noël Boutet, drejtor i një fabrike në Versajë”, shpjegoi në një njoftim për shtyp të premten ”Hôtel Drouot”, ku do të zhvillohet shitja.
”Pasi u bë perandor, Napoleoni I e mbajti atë deri në fund të mbretërimit të tij përpara se t’ia ofronte Emmanuel de Grouchyt, njërit prej ndjekësve të tij besnikë, të cilin më vonë do ta ngrinte në pozicionin e marshallit të fundit të Perandorisë”, tha burimi.
“I ruajtur që nga viti 1815 nga pasardhësit e marshallit, ajo do të vihet në shitje publike për herë të parë”, shtoi ai. Një kopje e dytë, identike me këtë dhe gjithashtu e porositur nga Napoleoni, mbahet në muzeun ”Hermitage”, në Shën Petërburg.
Ankandet napoleonike po lulëzojnë, më shumë se dy shekuj pas vdekjes së “Perandorit të francezëve”, i cili vdiq në mërgim në vitin 1821, në moshën 51-vjeçare, pasi kishte dominuar Evropën.
Në mars, vëllimi i Kodit Civil që i përkiste Napoleonit, i cili këmbënguli që Franca të miratonte këtë grup ligjesh që standardizonin rregullat e jetës në fillim të shekullit XIX, gjeti një blerës për 395 000 euro.