Një takim i shumëpritur me Yllin e Kinematografisë, Sophia Loren
Një takim i shumëpritur me Yllin e Kinematografisë, Sophia Loren
Nga: Tonin Kimça
Shpeshherë kur isha fëmijë mendoja se, a do të ishte e mundur të takohesha dhe pse jo të bisedoja me një aktor filmi. Këtu e kam fjalën tek aktorët e mëdhenj botëror, si ata italianë, që i kam ndjekur përmes ekranit, dhe pse jo edhe të Hollivudit.
Por ja një ditë, kjo ndodhi, kur jeta të jep mundësi për t’u takuar, përshëndetur, pse jo për t’i dhënë dorën, për ta përqafuar e biseduar… E në fund për të bërë një fotografi, për ta patur kurdoherë në albumin tënd si pasuri të shtrenjtë, pikërisht me aktorin apo aktoren, të cilët i ke ëndërruar që në fëmijëri.
Rasti e solli të takohem me Legjendën e Kinematografisë botërore dhe asaj italiane, aktoren Sophia Loren.
Sophia Loren, fituese e Çmimit Oscar si edhe e shumë Çmime të tjera në film, duke u rreshtuar në krye të aktorëve të mëdhenj e gjigandë të papërsëritshëm të aktrimit botëror.
Emocionet e një çifti, tashmë, që po i afrohet të 60-ve siç jam unë dhe bashkëshortja ime Liljana, që në shtëpi e thërrasim Luçi; janë të papërsëritshme.
Ridgefield play house në Connecticut është një teatër i vogël me përmasat e Teatrit të “Migjenit” në Shkoder, ku shumë këngëtarë, artistë e persona të rëndësishëm takohen në këtë auditor me lumin e madh të njerezve; por duke qenë i vogël në përmasa mundësia e komunikimit është disi e largët dhe shpesh e pamundur.
Është mbrëmje. Nëntori, këtu, bën shumë ftohtë, megjithëse i nxehti nuk mungon si në shtëpi, edhe në makinë, edhe në teatër. Duhet veshur palltoja (tabarja, siç i themi ne në Shkoder).
Nga shtëpia ime largësia me teatrin është rreth pesëdhjetë minuta me makinë. Arritëm në kohën e duhur. Pjesëmarrësit në këtë takim me Sofia (Sophia ) Loren ishin të gjithë më shumë se 60 vjeçarë, unë dhe bashkëshortja ime ishim më të rinjtë e këtij mjedisi.
Mbas shumë takimeve me shumë persona të nderuar dhe me karrierë në botën e artit e të biznesit, ulemi në karriget tona, duke na servirur verë të kuqe ,që mua më pëlqen shumë, dhe duke na shoqëruar nga meloditë e filmave që Sophia Loren ka interpretuar.
Pas kësaj atmosfere, … më në fund shfaqet ikona e madhe Sophia Loren, e veshur me nje kostum të kuq me xixëllonja, dhe me një palë këpucë me taka të gjata. Megjithëse ajo është 85-vjeçe, i ngjante një vajze të re, me trupin e drejtë e me flokët kaçurrela. Patjetër që fotografia në sfond nga mosha e re të bën të shikosh diferencën në vite, por bukuria e saj edhe në këtë moshë është mahnitëse.
Pyetjet e moderatorit të shfaqjes Steve Persall, film critic for the Tampa Bay Tribune janë të shumta.
Gjëja e parë që më bëri përshtypje te aktorja Loren ishte diksioni në anglisht, që tregonte se të parën kishte gjuhën italiane, të cilën e përziente pothuajse në çdo përgjigje.
Biografia e saj është e pasur, dhe gjithkush mund të klikojë në internet e në pak minuta mund të mbledhësh imformacionin e nevojshëm për Sophia Loren. Unë kësaj here do të ndalem tek të veçantat që përftova nga ky takim i paharruar…
Pika kryesare ishte filmi më i mirë i saj “Dy Grate” (two woman). Është i pari Çmim që Academy Awards jep për gjuhë huaj, e në këtë rast një filmi italian e një aktoreje italiane në Amerikë.
Po përmend edhe disa çmime të tjera, si: – Në vitin 1991 Honorary Award prej Academy in acknowledgment për aktoren më të mirë për kontributin e saj në shkallë botërore. – Ka marrë gjashtë David di Donatello Awards për aktoren më të mirë për filmat “Two wamen”(Dy gratë),”Yesterday” (Dje), “Today and Tomorrow”(Sot dhe Nesër), “Marriage Italian Style” (Martesë në zakonin italian) film që i dhuroi asaj çmimin e dytë Oscar, “Sanflower” (Lulja e Diellit), “The Voyage dhe Six Day” (Gjashtë ditët).
Kur krijoi familjen e saj në vitin 1970, ajo ka marrë pjesë vetëm në dy filma: “Grumpier Man” 1995 dhe “Nina” në vitin 2009. Përveç Academy Award, ajo ka marrë Grammy Award, pesë special: Golden Globes, a BAFTA Award, a Laurel Award, the Volpi Cup per Best Actress tek Venice Film Festival, the Best Actress Award tek Cannes Film Festival, and the Honorary Academy Award in 1991. Kurse në vitin 1995, ka marrë Golden Globe Cecil B. DeMille Award për gjithë jetën për arritjet në AKTRIM.
Dhe kështu nisi dhe bashkëbisedimi i moderatorit, me aktoren e famshme, bashkëbisedim u shoqërua me nje interesim te jashtëzakonshëm nga te pranishmit e shumte:
Në pyetjen: – Cili është filmi më i mirë?
Sofia: “Dy gratë” (Two wamen). Është filmi që më hapi rrugën në karrierën time. Njoha edhe Karlo Pontin, kur bënim xhirimin e filmit. Ishte pjesa më kulminante debati me ushtarët për atë që i kishin bërë vajzës. Kur shkuam në dhomë mbas xhirimit, unë e pyeta regjisorin që të bënim një përsëritje të këtij xhirimit ditën e nesërme, ndërsa ai m’u përgjigj: “Kjo është edhe aktrimi, edhe fotografia më e arritur që kam parë.” Kështu ndodhi, ky film mori çmimin e parë të dhënë në Amerikë, në gjuhë të huaj.
Ajo gjatë gjithë intervistës që zgjati për më shumë se një orë, tregoi shumë sekrete të jetës së saj. Një vajzë 18-vjeçare me një bukuri aq të veçantë, kishte një të kaluar jo të këndshme, pasi së bashku me të motrën ishin rritur vetëm nga nëna, pa baba.
Një nga sekretet e saj ishte takimi i parë me aktorin e madh Charlie Chaplin.
“Një natë dikush i bie telefonit dhe më thotë se jam Charlie Chaplin dhe dua te flas me Sophia Loren… Unë e mbylla telefon, pasi thashë që kjo ishte një lojë. S’ka mundësi që një aktor i madh si ai, të më bënte telefonatë. Të nesërmen në mbrëmje telefonata u përsërit… po nga ai. Motra ime më thotë që është Charlie Chaplin, dhe dëshiron të flasë me ty. Unë nuk i besoja vetes, pasi nuk mund ta besoja që një aktor si ai do të fliste me një person si unë, që isha në fillimet e mia si aktore. Kështu ndodhi… dhe unë mora pjesë në filmin e shkruar dhe të drejtuar prej tij. Ishte 05.01.1967 “A countess from Hong Kong” (Një konteshë prej Hong Kongut).
Po, a do të ketë më filma prej Sophia Loren? Pergjigjja është: – Po! Dhe filmi do të dale së shpejti, dhe drejtohet prej djalit të saj Edoardo Ponti. Vetë aktorja nuk dha asnjë koment të mëtejshëm.
Pyetjes: – Po të kishe për të zgjedhur, se cili është gëzimi më i madh: Marrja e një çmimi Oskar apo lajmi kur bëhesh gjyshe për herë të parë?
Sofia: Patjetër që kur bëhesh gjyshe për herë të parë. Në radhë të parë jam Nënë, gjyshe dhe pastaj aktore.”
Në gjithë bisedën e saj, ajo tregonte që dashuria më e madhe për të ishte familja dhe asaj ia dedikonte çdo gjë.
Megjithë provokimet që moderatori i bënte për eksperiencën e gjatë në fushën e aktrimit, si dhe me takimet e njohjet me aktorët e mëdhenj të të gjitha kohërave, si: Marcello Mastroianni, Carry Grant, Mario Brando, Charton Heston, John Wayne, Paul Newman e të tjerë, për për ndonjë maredhenie intime me to… Sofia u përgjigj duke buzëqeshur: “Unë asnjëherë nuk e kam përzier punën me sexsin. Unë kam patur një bashkëshort të mirë, dhe jetën ia kam kushtuar atij Karlo Pontit dhe familjes, por pa përjashtuar aktrimin që më bëri të famshme.
Montazhet e shkurtëra nga filmat e ndryshëm, ishin zbukurimet dhe emocionet e mëtejshme të këtij takimi të magjishëm.
Pa kuptuar koha kaloi shumë shpejt. Erdhi koha e dhënies së duarve dhe përqafimeve. Emocione të papërsëritshme dhe mbresëlënëse si për mua ashtu edhe për bashkëshorten time.
Gazeta Dita