NJË TESTAMENT TRONDITËS!

Nga Dashnor Kokonozi

Te një portal shqiptar me një farë prirje për historinë, Bota.al, gjë që edhe e dallon për të mirë, lexova një shkrim që bën fjalë për një “testament” të Aleksandrit të Madh, ku ky konfirmon origjinën e tij ilire, po kjo duket se nuk u ka pëlqyer fqinjëve tanë grekë e maqedonas. Nuk e di nëse një gjë e tillë i ka shtyrë ta shtojnë përqendrimin e forcave rrotull kufijve tanë shtetërorë, por artikulli në fjalë na siguron se ata janë tronditur shumë.

Kuptohet, artikuj të kësaj natyre të shtyjnë të kthesh faqen menjëherë e të shkosh tutje, por nuk shkova deri aty sepse sipas portalit bëhej fjalë për një zbulim të studiueses italiane Lucia Nadin. Është një emër që më thotë diçka, që e vlerësoj, veçanërisht pas kërkimeve në Venecie e zbulimit të ksomblave të përdoruara në tekstin origjinal të Buzukut e që vërtetonin një ide të hershme të prof. Çabejit për shtypjen e “Mesharit” në ndonjë shtypshkronjë të Venedikut.

Thuhet në krye të shkrimit : Studiuesja e shquar italiane Lucia Nadin ka zbuluar ‘testamentin’ e Aleksandrit të Madh në të cilin ai i drejtohet popullit të Shkodrës duke ju dhënë atyre një territor në administrim si dhe duke ju drejtuar me fjalën se ai është “pinjoll i farës së ilirëve”. Dokumenti është publikuar nga studiuesja italiane e cila ka bërë një hulumtim shkencor për Aleksandrin e Madh. Ky tekst është gjetur në tek “Statutet e Shkodrës”, të shkruara më 1469. Dorëshkrimi, i ruajtur në Bibliotekën e Muzeut Correr në Venecia, u gjet nga studiuesja Lucia Nadin në vitin 1995.

Nuk e kam në dorë librin, por nisur nga fakti se pjesë të tij jepen në ligjëratë të drejtë e në thonjëza, që si rregull përjashton çdo mundësi lajthitjeje a manipulimi të vetëdijshëm, po i lejoj vetes të shpreh ndonjë gjykim për vërtetësinë e këtij dokumenti, pa u hyrë në hak as historianëve dhe as gjuhëtarëve, por në respekt të plotë të pasionit të adoleshencës sime për Aleksandrin e Madh.

Për këtë arsye po lë mënjanë ide të tilla madhështore si ajo dhuratës së Aleksandrit për « popullin e Shkodrës » të cilëve “…u dorëzojë në zotërim të lirë gjithë hapësirën e Akuilonit e deri në skaj të Italisë së Jugut” dhe do t’i kushtoj ndonjë rresht më shumë paragrafit të fundit të artikullit tonë në të cilin thuhet se testamenti në fjalë (copy paste): « U shkrua në Kështjellën e qytetit të Aleksandrisë, themeluar prej meje buzë lumit madhështor të nilit në vitin XII. Me vullnet të perëndive që nderohen në mbretëritë e mia, Zeusit, Marsit, Plutonit dhe Minervës, perëndisë së perëndive. Dëshmitar të këtij akti janë Atleti, logotheti i im, dhe 11 princa të tjerë, të cilët unë po i emërojë si trashëgimtarë të mi dhe të gjithë Botës, meqenëse po vdes pa lënë pasardhës. »

Nisur gjithnjë nga ndjeshmëria e lexuesit të dikurshëm entuziast, si akt të parë patriotik marr përsipër përgjegjësinë të mos besoj faktin se Aleksandri i Madh tall prapanicën me shkodranët tanë duke u falur tokat e Italisë që nuk ishin fare të tijat e ku ai nuk vuri kurrë këmbë, pa llogaritur faktin se ata janë ish pushtuesit e atdheut të tij, që i ati, Filipi, i kishte shtyrë tutje dhe i kishte mbytur në gjak e hekur. Por, gjithsesi ky lexues ka të drejtë të pyesë: për çfarë testamenti bëhet fjalë ? Nuk ka testament, Maqedonasi i madh mbase as vetë nuk e dinte a nuk e besonte se do të vdiste, sepse edhe kur digjej nga ethet e fundit vazhdonte të jepte porosi për një ekspeditë që donte të organizonte në Arabi (disa flasin për Kartagjenën). Kur ushtarët u revoltuan dhe deshën të dinin për shëndetin e tij, atëherë u lejua të hapej shatorrja ku dergjej dhe kur ai e pa vetën të pamundur të ngrihej e të nderonte ushtarët e tij, por kishte fuqi vetëm për ndonjë lëvizje të mezidukëshme qepalle, si shenjë miqësie, atëherë e kuptoi se po i vinte fundi. Por përsëri kurrë nuk u ul të diktojë ndonjë testament. Pyetjes se cilit ia linte trashëgim perandorinë e tij, iu përgjigj : më të fortit prej jush. (Roksana është ende shtatzënë e i biri, Aleksandri IV-të ende nuk ka lindur, ndërsa gjysmë vëllai i tij Filipi i III-të shihet si me të meta mendore, por megjithatë zgjedhja do të bjerë mbi këtë të fundit, në pritje të lindjes dhe rritjes së djalit. Por asgjë nuk u zhvillua siç u tha, për shkak të rolit që donte të luante këmbësoria në këtë zgjedhje dhe një gjë e tillë u bë shkas për fillimin e luftërave të përgjakshme “diadonike”, të pasardhësve, Në këto kushte nuk e di se kujt po i binte ndërmend për Shkodrën)

Në një çast gjenerali Perdikas paraqiti para Asamblesë maqedonase ato që njihen si “Kujtimet e Aleksandrit”, por ato janë parë gjithnjë si mendimet e vetë gjeneralit, që synonte fronin. E dyshimtë është cilësuar gjithmonë edhe ajo që quhet “Vulgata e Aleksandrit”, një përmbledhje tekstesh të natyrës panegjirike, sipas së cilës Aleksandri i la unazën e tij Perdikas.

Diku, në fillim të paragrafit thuhet se « testamenti » u shkrua “në kështjellën e qytetit të Aleksandrisë të themeluar prej meje”.

Tani, unë nuk e di se për çfarë kështjelle në Aleksandri bëhet fjalë (se ajo u konceptua në blloqe e jo në ndërtesa të veçanta), por dihet se ai përcaktoi linjat e mëdha të mureve të qytetit (diku 5×7 km.) dhe të institucioneve të tij kryesore (Biblioteka nuk ka të bëjë me të se do të ndërtohet më vonë nga Ptolemeu) duke i shënuar ato me « miell » sipas legjendës. I ndoqi disi edhe fillimet e punimeve të para, por më tej ia la vazhdimin administratorit te tij, Kloemenit të Neokratit dhe arkitektit Dinokratit të Rodit. Ai vetë mobilizoi ushtrinë dhe shkoi t’u turret fenikasve. Aleksandri kurrë nuk e pa të ndërtuar dhe përfunduar Alexandria ad Aegyptum (sepse me emrin e tij njihen edhe rreth 30 qytetet të tjerë, disa flasin edhe për 50 e më shumë), më tej ai kurrë nuk u kthye më aty.

Akoma më pas, në shkrim thuhet se dëshmitarë (të testamentit të pronave që u lë ilirëve e ku njeh edhe prejardhjen e tij si të tillë) janë (copy paste): « …Atleti, logotheti i im, dhe 11 princa të tjerë, të cilët unë po i emërojë si trashëgimtarë të mi dhe të të gjithë Botës, meqenëse po vdes pa lënë pasardhës.»

Vëreni pjesën e fundit të fjalisë « … meqenëse po vdes pa lënë pasardhës. »

E vërteta është se ndërtimin e Aleksandrisë ai e urdhëroi dhe filloi punimet në vitin 331. Pra ka një problem serioz sepse ai flet për vdekjen pa lënë pasardhës, ndërkohë që do të vdesë në vitin 323 p.K. Pra i bie që agonia e tij të ketë zgjatur nja tetë vjet.

Problemi tjetër që na del përpara është ai kur evokon vdekjen e tij « në kështjellën » e Aleksandrisë, sa kohë që dihet se përveç tetë vjet më vonë ai do të vdesë edhe plot 2 mijë km larg Aleksandrisë, në Babiloni.

Për të hequr merakun e atyre që mendojnë se simptomat e para të sëmundjes iu shfaqën te « kështjella e Aleksandrisë » dhe agonia e tij mund të ketë zgjatur vërtet tetë vjet (gjë që do ta ketë shtrënguar të lërë sa më shpejt një testament për Italinë që u fal shkodranëve tanë) po shtoj këtu se vdekja e Aleksandrit është më e dëshmuara me detaje, edhe pse sot e kësaj ditë mbetet objekt studimesh, por në thelb nuk vërej që u janë shtuar shumë gjëra librave që lexonim dikur.

Diodori i Sicilisë thotë se pas një banketi me pije të shumta, ai pranoi të shkojë edhe në një zijafet tjetër ku e ftoi një farë Medius-i. Tamam aty, pasi ktheu edhe një kupë të madhe me verë atij i filloi një dhimbje e egër në bark, sa e bënte të ulërinte në kupë të qiellit. Në ditën e 18 të muajit të Daesios (e vitit të parë të olimpiadës së 114) iu shpif një ethe që nuk iu largua më. Agonia zgjati dhjetë ditë, pra deri më 28 të muajit të Daesios. Disa flasin edhe për shenja malarieje e disa të tjerë për “virusin e Nilit perëndimor” (flavivirus), por nuk është këtu qëllimi i këtyre shënimeve.

Natyrisht për të përcaktuar datën e saktë të vdekjes, ka patur diskutime por asnjëherë për kohëzgjatjen dhjetë ditore të agonisë.

Ai që u mor më shumë me saktësimin e vitit të vdekjes është Champollion-i (deshifruesi i Gurit të Rosetës, që bëri të mundur përkthimin e hieroglifëve egjiptiane). Sipas tij dita e 28 e muajit të Daesios llogaritur me vitin e parë të Olimpiadës së 114-të dhe kalkulimet e krahasimet që bëri më kalendarin maqedonas, grek e egjiptian, jep saktësisht 30 majin e vitit 323 p.K. si ditën e fundit të Aleksandrit të Madh në këtë botë.

Në vitet më pas pati që e kundërshtuan llogaritjen e tij dhe jepnin vitit 324 si vit të vdekjes, por shkencëtarët e mëvonshëm i dhanë të drejtë dhe pranuan si të sakta llogaritjet e para të Champollion-it. Pra gjithsesi tetë vjet më vonë se sa kërkon të thotë testamenti ynë, që e nxjerr në hjekë te “kështjella” e Aleksandrisë, ku atij i bie ndërmend t’u dhurojë shkodranëve Italinë që nuk ishte e tija.

Nganjëherë më duket se (po të lëmë anash atë punën e kështjellës së Aleksandrisë), në një pjesë të këtij rrëfimi, autoret bëjnë një ngatërresë të pakuptueshme me “dajkon” e tij, Aleksandrin e I-rë të Epirit (Molosin), që mundi të hidhet në Italinë e Jugut për të lënë lëkurën e tij të vyer epirote në ato anë, pas ndonjë fitoreje.

Gjithsesi, kushdo vëren se në shkrimin e paraqitur si të Lucia Nadin-it, ka aq kundërshti logjike dhe historike si edhe padrejtësi të rendit trashëgimtar, sa kam frikë se fqinjët tanë në vend që të tërbohen, po mbajnë barkun nga të qeshurit.

9 Dhjetor 2017.