Një udhëtim në fshatin Ogdunan, Permet
Nga Joni Margjeka
Shumëkush ka dëgjuar për kanionin madhështor të Langaricës, sikurse për fshatin historik të Bënjës dhe për ujërat termale, për Parkun Kombëtar “Bredhi i Hotovës”, për Dangëllinë e vëllezërve Frashëri, për luginën e Vjosës, vargmalin TrebeshinëDhëmbelNëmërçkë, e shumë e shumë të tjera. Por këto janë vetëm petkat e një treve, që hirësinë e saj e fsheh me fanatizëm të madh nën to. Zona e Përmetit është nga më dinamikët në vend, ndërsa kultura e saj nga më të larmishmet. Kombinimi i tyre ofron një produkt mbresëlënës që duhet promovuar si vlerë kombëtare. Ka kaq shumë për të treguar për Përmetin, saqë çdo vendbanim i kësaj zone qëndron si një “gur kilometrik” në rrjedhën e historisë, që pret të deshifrohet. I këtillë është edhe Ogdunani, një xhevahir bash në zemër të krahinës së Shqerisë, një fshat për të cilin shumë pak është folur dhe aq më pak është shkruar.
Nisemi nga qyteti i Përmetit në mëngjes herët për të zbuluar Ogdunanin, një destinacion i panjohur, por i dëftuar plot pátos nga udhërrëfyesi ynë, Apostol Cullufe. Coli, siç i pëlqen ta thërrasin ndryshe, është një burrë i mençur, i cili ka shumë për të treguar për rrethin e Përmetit. Ogdunani në veçanti e bën edhe më nostalgjik, pasi aty ka kaluar vitet e fëmijërisë. Sa më shumë Coli na tregon, aq më shumë duket sikur monumentet nisin të flasin dhe, si rrjedhojë, udhëtimi bëhet më i dashur. Lugina e Vjosës është e gjitha marramendëse, por nga Petrani
deri në Ogdunan udhëtimi merr dimensione të tjera. Në Petran, Langarica ndalon hovin e saj dhe puth me furi brigjet e Vjosës, për të vijuar teposhtë rrjedhën e përbashkuar drejt detit Adriatik. Ndërsa udhëtimi ynë spostohet nga njëra luginë në tjetrën, pranë llixhave të Bënjës zë fill një nga kanionet më spektakolare në Shqipëri. Langarica ka krijuar një çarje të madhe gjeologjike në territor, duke formuar një kanion të gjatë 4 kilometra, me thellësi deri në 100 metra dhe gjerësi deri në 30 metra. Kanioni i Langaricës është formuar si rezultat i veprimtarisë karstike dhe erozive të lumit me të njëjtin emër, i cili për miliona vite ka arritur të gdhendë këta masivë gëlqerorë që bien thikë mbi shtratin. Ujërat e Langaricës, me forcën e tyre gërryese dhe tretëse, i kanë dhuruar territorit tipare gjeologjike dhe gjeomorfologjike
mjaft interesante. Në krahun e djathtë të rrjedhës së Langaricës ngrihen fshatrat historikë të Bënjës, Novoselës dhe Lupckës, ndërsa në krahun e majtë fshatrat hijerëndë të Delvinës dhe Ogdunanit.
Ogdunani ndodhet vetëm 18 kilometra larg Përmetit, distancë e cila përshkohet afërsisht për 34 minuta. Rruga e asfaltuar përfundon tek ujërat termale të Bënjës, ndërsa deri në fshat mbeten edhe 5 kilometra rrugë e amortizuar, e cila mund të kalohet vetëm me mjete të larta. Rruga për në fshat mund të përshkohet edhe në këmbë, me biçikleta ose me mushka për të apasionuarit e aventurës. Kapërcejmë Langaricën dhe ndjekim rrugën që gjarpëron mbi kanione. Pasi arrijmë në pikën më të lartë të kanionit, aty ku ndodhen rrënojat e një garnizoni të vjetër otoman, para nesh shpaloset befas një peizazh mahnitës. Në pamundësi për t’i rezistuar një pamjeje kaq të bukur, vendosim të bëjmë një ndalesë të shkurtër mbi ballkonin e Langaricës, nga ku mund të shijosh më së miri natyrën e pasur të Përmetit. Rrugëtimi vijon me çapitje deri në vendndalimin përfundimtar, kur më në fund shfaqet imazhi i gurtë i fshatit që kamuflohet lehtas me natyrën që e rrethon. Çatitë, muret, avllitë, kalldrëmi, sokakët, sofatët, gjithçka shkrihet me ngjyrën e kafenjtë të shkëmbinjve përreth, nga del lënda e parë. Arkitektura e fshatrave të kësaj krahine është dëshmia e fundit e gjallë që flet për mjeshtërinë që banorët zotëronin në përpunimin e gurit.
Teksa ecën në rrugicat e kalldrëmta të Ogdunanit, është e pamundur të mos ndalësh portë më portë dhe të vështrosh me kureshtje simbolet e ndryshme të skalitura nëpër mure.
Disa simbole (kryesisht ato fetare) janë të mbuluara me gëlqere që nga koha kur sistemi komunist i shpalli luftë klerit, ndërsa simbole të tjera zoomorfe, antropomorfe ose floreale, sikur duan të rrëfejnë sekretet e portave ku janë skalitur.
As gëlqerja e komunizmit, madje as ashpërsia e kohës, nuk kanë arritur ta zymtësojnë simbolikën e këtyre shenjave dhe, bashkë me to, admirimin që banorët e zonës kishin për natyrën. Coli na tregon se si këto shtëpi “janë ndërtuar me flori”, sigurisht në kuptimin figurativ dhe alegorik, pasi banorët e këtyre zonave jo vetëm ishin tregtarë me nam, por edhe ishin rrahur shumë herët me kurbetin. Gjithashtu na thotë se “shtëpitë në këto anë shikohen nga qoshet”, shprehje e përdorur me zgjuarsi nga ai për të treguar nivelin e mirëqenies së çdo familjeje.
Për habinë tonë, “qoshet e ndërtesave” tregojnë jo vetëm cilësinë e përpunimit të gurit dhe teknikën e lartë të ndërtimit, por edhe statusin social e kulturor të banorëve nëpërmjet simboleve të ndryshme që mund të shquhen. Sa më të pasura me simbole të ishin ndërtesat, aq më i lartë ishte statusi kulturor dhe ekonomik i banorëve të tyre. Jeta komunitare në fshat dikur ishte shumë e zhvilluar. Këtë e dëshmojnë portat me sofat, sheshi i fshatit, çezma monumentale, shkolla e dikurshme e kisha dhe, çka është më e rëndësishme, kujtesa e gjallë e një burri që dukej sikur me zor kish pritur të na rrëfente gjithçka mbante të fjetur në thellësi të shpirtit. Coli na tregon se si gratë e fshatit dikur organizoheshin për të pastruar ambientet e përbashkëta, nikoqirllëku i të cilave i “bënte kalldrëmet aq të pastra, saqë mund t’i lëpije”. Ndërsa sot situata paraqitet krejt ndryshe. Ata pak banorë që kanë mbetur, janë të moshuar, të pamundur fizikisht dhe ekonomikisht për të mirëmbajtur banesat, të cilat po shkërmoqen nga trysnia e kohës. Ndërtesat në Ogdunan shquhen për bukurinë e tyre, por njëra dallon ndër shoqe, pasi jo vetëm ka “qoshe elegante”, por çdo element arkitektonik i saj është i kuruar me
shumë hijeshi. Ndërtesa në fjalë është dykatëshe, tip kulle, me një kompozim planimetrik në formë sharre. Ka një portë të jashtme monumentale, në arkitraun e së cilës është skalitur data e ndërtimit të shtëpisë, viti 1870. Nëpërmjet kësaj porte hyn në oborrin e shtëpisë, nga i cili mund të vështrosh fare mirë ndërtesën. Në katin e parë ndodhet vetëm dera kryesore, ndërsa në katin e dytë hapen 12 dritare, kornizat dhe arkitrarët e të cilave janë të mbushura me simbole të ndryshme që presin të zbërthehen. Simbole fetare, zoomorfe dhe floreale zbukurojnë cep më cep fasadën e objektit dhe në shumicën e rasteve përsëriten nëpër basorelievet mbi dritare, ndërsa në këndin jugor të ndërtesës vihen re dy pllaka me simbole antropomorfe unike. Pllaka e parë paraqet 5 burra me fustanellë, të kapur dorë për dore, që hedhin valle, midis të cilëve janë skalitur 4 kryqe, ndërsa prijësi i valles mban në dorën e djathtë një shpatë. Një artefakt kaq i vyer që na rikthen në reminishencë vallen e stërlashtë pirrike që, sipas Homerit, Akili kërceu me shumë shprehi kur pa trupin e pajetë të mikut të tij Patroklit, duke shprehur në këtë mënyrë hidhërimin e thellë. Sipas mitologjisë greke, kjo valle na kujton edhe kërcimin me shpata dhe me mburoja që bënin rojtarët Kuretë për të mbytur të qarat e Zeusit foshnjë, që nëna e tij, Rhea, e kish çuar në një shpellë të malit Ida, në Kretë, për ta shpëtuar nga gllabërimi i babait kanibal, Kronosit. Nga ana tjetër, ky gur i skalitur është si Guri i Rozetës (Rosetta Stone) që bën lidhjen midis kohërave më të mugëta me ato të sotmet, pasi dëshmon qartë vazhdimësinë e valles së shpatave te shqiptarët e sotshëm, të cilët vijojnë ta ruajnë me fanatizëm këtë traditë të stërlashtë. Pllaka e dytë paraqet vetëm një burrë me fustanellë që mban në të dyja duart shpata të mprehta, imazh që të sjell ndër mend kapedanët suliotë. Një tjetër interpretim që mund t’u bëhet imazheve, është nëpërmjet valles së shpatave, që dëshmon lidhjen e pashmangshme të traditës me artin e luftës. “Oxhaqe” kaq të mëdha mund të ndërtoheshin vetëm nga paria e kohës, pasi kishin kosto tepër të lartë. Një tjetër objekt interesant është kisha e Shën-Mërisë, e ndërtuar në vitin 1774, datë kjo që është gdhendur në gurin kyç të qemerit. Ikonostasi i kësaj kishe mbart vlera të mëdha artistike dhe është ekspozuar në muzeun e Përmetit. Përveç afreskeve që u kanë mbijetuar kohës dhe stilit të veçantë arkitekturor, kjo kishë është e mirënjohur për numrin e madh të qeparisëve që e rrethojnë. Dikur ishin plot 365 qeparisë (aq sa ditët e vitit) dhe 1 lis i moçëm (viti i plotë), që rrethonin kishën. Nga kjo pyllnajë kanë mbetur rreth 100 syresh, pasi gjatë periudhës së komunizmit këto pemë të çmuara nisën të priteshin për t’u shfrytëzuar si lëndë e parë. Pavarësisht se dikur numri i qiparisëve ka qenë 3 herë më i lartë, ende sot ky mbetet masivi më i madh i qiparisëve që rrethojnë një kishë në gjithë territorin e Shqipërisë. Ky masiv duhet shpallur menjëherë monument natyre dhe të mbrohet me ligj, për të shmangur abuzimet e mëtejshme. Për të kuptuar rolin që Ogdunani ka pasur në mëvetësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, mjafton të shohësh rrënojat e kullës së dikurshme të flamurit, shkollën ku mësohej gjuha shqipe, kishën ortodokse, si dhe simbolet e shumta patriotike të skalitura në çdo shtëpi. Natyrshëm lind pyetja: Kaq i rëndësishëm ishte ky fshat saqë kishte kullë flamuri? Përgjigjja e kësaj pyetje nuk mund të jepet vetëm duke studiuar ndërtesat e heshtura që kanë mbetur në këmbë, por duhen bërë studime të mirëfillta mbi popullsinë e dikurshme të këtij fshati, në mënyrë që të kuptojmë rolin që oxhakëria e krahinës së Shqerisë ka pasur në çështjen kombëtare. Që të bëhen këto studime, nuk mjafton vetëm dëshira e mirë, por duhet të kemi një Institut Albanogjik që studion “shqiptarizmën”, një Akademi Shkencash që prodhon studime të mirëfillta shkencore, një Institut Monumentesh që të paktën të dijë të vlerësojë trashëgiminë kulturore dhe, mbi të gjitha, një
shtet që drejtohet nga burra shteti atdhetarë dhe jo nga një shpurë burracakësh grykësorë. Në kohërat kur karvanët endeshin pareshtur në rrugët tregtare që lidhnin krahinat mes tyre, Shqeria ishte krahinë me nam. Pavarësisht se gjallëria e dikurshme është shuar gradualisht, Ogdunani ende sot ruan me kryeneçësi lavdinë dhe hijeshinë e një fshati sqimatar. I njohur ndryshe si fshati i 365 qiparisëve ose si fshati i vetëm me kullë flamuri, Ogdunani fsheh me kujdes një thesar të çmuar antropologjik, që duhet zbuluar sa nuk është vonë. I ngritur thuajse në të njëjtën lartësi me Bënjën e mirënjohur, në krahun tjetër të kanionit të Langaricës, Ogdunani imponon respekt.
Masivi i qiparisëve që rrethon kishën e Shën-Mërisë, nuk mund t’i shpëtojë as syrit më të shkujdesur. Bënja dhe Ogdunani janë themeluar ballë për ballë rreth së njëjtës periudhë kohore, sikur duan të rivalizojnë në këtë mënyrë bukurinë e pashoqe të njëri-tjetrit. Në këto kushte është thuajse e pamundur që t’i krahasosh, pasi secili fshat shquhet për veçoritë e tij. Ama Bënja në ndryshim nga Ogdunani, gëzon statusin ligjor “Qendër Historike” që e mbron nga çdo lloj zhvillimi i pakontrolluar që nuk bazohet në ligj. Ndërsa Ogdunani konsiderohet një fshat i thjeshtë, pa ndonjë vlerë të veçantë nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Megjithatë mjafton ta shpluhurosësh fare pak që të vërtetosh krejt të kundërtën. Sa fshatra të tjerë ka në Përmet, po aq të çmuar sa Ogdunani, që nuk njihen për vlerat e tyre? Po në Shqipëri? Po monumentet e veçuara sa shanse kanë t’u rezistojnë kohës? Sa vlera të tilla kombëtare dergjen nëpër
territor, të harruara plotësisht? Çfarë çalon në punën që institucionet përkatëse duhet të bëjnë në studimin, konservimin, restaurimin, mbrojtjen dhe promovimin e monumenteve të kulturës? A kanë institucionet kulturore kapacitete njerëzore të përshtatshme, të paktën sa për t’i evidentuar këto vlera? A nuk duhet të shpallet edhe Ogdunani “Qendër Historike” sikurse binjakja e tij, Bënja? Në mos i gjithë fshati, a nuk duhet të shpallet të paktën shtëpia e lartpërmendur Monument Kulture i Kategorisë së Parë? Po masivi i qiparisëve, a nuk duhet shpallur Monument Natyre? Dhe të mendosh që po flasim vetëm për mbrojtje statutore, pa përmendur investimet që duhen bërë për restaurimin dhe konservimin e tyre. Një mori pyetjesh lind natyrshëm kur nis të kuptosh realitetin e trishtë të kësaj trashëgimie kaq të brishtë që rrezikon të zhduket nga çasti në çast, dhe si rrjedhojë revolta ndaj këtyre institucioneve inekzistente është e pashmangshme. Ogdunanit mjafton t’i asfaltosh vetëm 5 kilometra rrugë që e lidh me llixhat e Bënjës, në mënyrë që banorët ta ripopullojnë dhe ta nxjerrin përfundimisht nga izolimi. Impulset e para për shndërrimin e shtëpive të vjetra në bujtina kanë nisur tashmë, pavarësisht infrastrukturës së amortizuar. Mjafton shumë pak për t’i dhënë hov zhvillimit të turizmit në këtë fshat, pasi Ogdunani ka gjithçka. Ka natyrën e mrekullueshme që kurorëzohet me kanionin e Langaricës, historinë e pasur që pret të zbulohet, arkitekturën e veçantë, llixhat kurative të Bënjës, kulinarinë e pasur dhe produktet bio, ka monumente natyre dhe kulture, por mbi të gjitha ka ende njerëz fisnikë që na sjellin në kujtesë të parët e tyre.