Erdhën zgjedhjet. Si përherë po lyhen rrugët, po hidhet ndonjë dorë asfalt aty-këtu, ndihet një zell ngado për t’iu hedhur hi syve, po, po, PËR T’IU HEDHUR HI SYVE të gjithëve: mua, ty dhe kujtdoje tjetër që jeton në këtë qytet. Atyre që vijnë nga jashtë të jetojnë në Shqipëri, u bëj një pyetje: “Po ç’doni këtu? Këtu të fillon dita me stres që tek autobusi në mëngjes. Këtu ta përthithin energjinë pozitive si ushunjëza dhe nuk të lënë të krijosh diçka më të mirë me të…”

Po kush na e përthith energjinë pozitive?! Fare e thjeshtë: shoferi i autobusit që nuk respekton rregullat e trafikut, nget si gangster dhe të trajton si thes me patate; fatorino që të shtyn si mundet dhe që kur nuk i do qejfi nuk të jep as biletën; pastruesi i pusetave që i hap ato që në 7 të mëngjesit dhe gjithë pisllëqet që ka nxjerrë, i lë në rrugës me orë të tëra; fshesarja që ua hedh pluhurin në turinj të fëmijëve dhe kur i flet të thotë: “Tani e kam turnin”; mbledhësi i plehrave që të bllokon trafikun dhe që gjithmonë gjen orarin e gabuar për të punuar, ashtu si edhe ai që vijëzon rrugën, mbush gropa ose e hap asfaltin për ndonjë riparim nën të e kur mbaron e lë ashtu. Ma merr energjinë pozitive parkimi me shishe, me vazo, me karrige; ai që më thotë në mes të Tiranës: “Të gërvisht makinën unë po s’më dhe 100 lekshin”; pronari i lokalit që zë trotuarin dhe hapësirat publike me karrige e tavolina, që të shtojë fitimin; makinat e parkuara në gjysmën e Tiranës, që mbajnë tabelën “Shitet” e nuk lëvizin kurrë; furnizimi orë e pa orë i dyqaneve; bllokimi ABSURD i bulevardit të Tiranës gjatë mbrëmjes, krejt i papajtueshëm me atë që qytetarët kërkuan; detyrimi për të qarkulluar me makinë, se me biçikletë “të hanë kokën”. Ma merr energjinë edhe koha që duhet të kaloj kurseve pasdite me fëmijët, sepse nuk kam ku t’i lë në ajër të pastër që të djegin energji, të vrapojnë e të krijojnë, gjithandej ka veç beton e rrugë: ne kemi nostalgji, që si fëmijë luanim në bar dhe kjo është e tmerrshme.

Është kaq e gjatë kjo lista, sa po të vazhdoj do të lodheni: mungesë kazanësh, probleme me rrugët, me trotuaret, me ambientet e përbashkëta, me gjelbërimin, me transportin, me bibliotekën e qytetit, me hapësira artistike, me… uffff, sa shumë ka… Shkurt, asnjërës palë nuk i kërcet fare se çfarë mendoj unë si qytetar, ku i kam hallet, çfarë dua të më ndryshojë – u interesojnë vetëm kumbullat e kuqe, forma e sheshit (për të cilin u pyetën 700 000 vetë dhe u bë si e dinin vetë, kur për më tepër sheshi sot nuk është fare në funksion të qytetarit, përkundrazi), prishja e Piramidës për të mbuluar fonde të vjedhura, gara të vazhdueshme për të fëlliqur, ndotur e zhbërë gjithçka që mund të jetë bërë më parë.

BOLL!

Të nderuar zotërinj të politikës: Tiranën e rregulloni me taksat e mia dhe të gjithë banorëve të saj, ndaj keni detyrim të më pyesni e të më jepni një qytet që më ndihmon e jo që më nxin jetën.

Të nderuar zotërinj opinionbërës (të TV, shtypit, analistë, OJF, OJQ e ku e di unë se çfarë tjetër): Këta politikanët ju interesojnë vetëm ju dhe lidhjeve tuaja, se ne si qytetarë na kanë ardhur në majë të hundës me kohë e me vakt. Me sa duket, ne jemi të vetmit që nuk përfitojmë në këtë tavë të madhe…

Fakti është që Tirana sot para zgjedhjeve është një qytet që nuk më ndihmon e nuk më përgjigjet, sepse ju e keni bërë të tillë, që të dyja palët politike pa përjashtim dhe emrat që vini nuk janë nga ata që zhbëjnë sistemin e tyre partiak për të mirën time. JO! Janë njerëz që maksimumi bëjnë diçka se duan të justifikojnë veten përpara kryetarëve legjendarë. Duke i pasur dy pare mend në kokë, nuk kam ndërmend t’ia jap votën politikës e të gënjej veten se këtë herë do të jetë ndryshe, kur kurrë nuk ka qenë ndryshe. Tirana është qyteti im, vendi ku rris fëmijët. Jo, unë nuk shkoj në kampet e Gjermanisë, për të më kthyer prapë me bisht ndër shalë. Unë reagoj me votë, me atë votë që të jep bukën ty, zoti politikan. Këtë herë kisha vendosur të vija vizë, por ja ku u gjenda përballë një grupi njerëzish si vetja, që mendojnë se qytetin tonë mund ta bëjmë vetë, me energjinë pozitive që iu duhet kthyer njerëzve. Sivjet energjia ime pozitive shkon për Gjergjin, sepse TIRANA ËSHTË QYTETI IM!