Njerëzit po hanë plastikë. –

…  Druhet se plastika mund të mbajë edhe kimikate toksike, si për shembull metale helmuese, apo hormone që ndërhyjnë me zhvillimin normal seksual drejtpërdrejt në trupin tonë. ….

Ndotja nga plastika nuk ka kursyer as trupin e njeriut. Shkencëtarët e kanë konfirmuar këtë për të parën herë.

Pjesëza të vogla plastike janë gjetur te çdo pjesëmarrës, në një eksperiment që synonte të vlerësonte sesa plastikë hamë dhe pimë ne çdo ditë.

Deri më tani, pjesa më e madhe e studimeve ishin të fokusuara në natyrë, por studimi i ri tregon se edhe njerëzit po konsumojnë plastikë.

Sipas kërkuesve, plastika mund të përfundojë në trupin e njeriut përmes konsumimit të peshkut, apo pirjes së ujit nga shishet plastike.

Është bërë thuajse e pamundur t’i shpëtosh plastikës, por pasojat e saj në shëndetin e njeriut mbeten të panjohura.

Mikroplastika është gjetur në të gjitha format e jetës marine, në kripën e detit, në mjaltë, në sheqer, birrë, fertilizuesit organikë, në pluhurin e shtëpive tona, e madje edhe në ujin e çezmave, apo atë të ambalazhuar.

Është zbuluar se kimikatet e përdorura në prodhimet e plastikës prekin zhvillimin e organeve seksuale te kafshët dhe peshqit. Druhet se plastika mund të mbajë edhe kimikate toksike, si për shembull metale helmuese, apo hormone që ndërhyjnë me zhvillimin normal seksual drejtpërdrejt në trupin tonë.

Për ekspertët, shkalla e krizës plastike tregon se është e pamundur që njerëzit të evitojnë ngrënien, pirjen apo edhe thithjen e plastikës përmes frymëmarrjes, dhe e gjithë kjo me shumë gjasa ka efekte të dëmshme, pavarësisht se shkencëtarët vazhdojnë të punojnë për të pasur një panoramë më të qartë.

o.j/dita