“Njerëzit po nxirren nga dritaret”/ Treni me studentë del nga shinat, disa të vrarë dhe dhjetra të plagosur
3 QERSHOR 2022
Të paktën tre persona kanë mbetur të vrarë dhe rreth 60 persona kanë mbetur të plagosur, pasi një tren
ka dalë nga shinat në shtetin juglindor të Bavarisë në Gjermani. Treni që kryesisht po transportonte
studentë, po shkonte drejt Mynih-ut, kur tre vagonë të tij dolën nga shinat pranë Garmisch-Partenkirchen.
Raportohet se gjashtëmbëdhjetë nga të plagosurit të jenë në gjendje të rëndë, ndërsa gjashtë
helikopterë kanë qenë në vendngjarje për të ndihmuar të plagosurit, por operacioni i shpëtimit është
ende në vijim. “Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi aksidentin”, tha një zëdhënës i policies,
ndërsa “njerëzit po nxirren nga dritaret”, ka sqaruar ai.
Autoritetet deklarojnë se nuk përjashtohet mundësia që mes të plagosurve të jenë shumë studentë
të cilët festonin fillimin e pushimeve verore. Aksidenti ndodhi rreth orës 13:15 me orën lokale
(11:15 GMT), pak pasi treni u nis nga Garmisch-Partenkirchen për në Mynih.
Më tej, operatori hekurudhor gjerman Deutsche Bahn sqaroi se “një pjesë e rrugës midis
Mynihut dhe Garmisch-Partenkirchen është bllokuar dhe trafiku është devijuar”.
Kujtojmë se përplasja hekurudhore më vdekjeprurëse e Gjermanisë në kohët moderne ndodhi
në vitin 1998 kur një tren me shpejtësi të lartë doli nga shinat në Eschede në Saksoninë e Ulët,
duke vrarë 101 njerëz.
Gazeta Sot