Njeriu modern në telajot e Adrian Çenes (FOTO)
Njeriu modern në telajot e Adrian Çenes (FOTO)
Në portretin e burrit veshur me kapotë të zezë, vështrimin e humbur diku, mund ta dallosh përtej syzeve të mëdha në portret. E verdha në fytyrë ia nxjerr më në pah mendimet. Një tablo nuk është e bukur nëse nuk mbart mendim, nëse ti nuk vazhdon ta shohësh ende dhe pse ke kaluar më shumë se 10 minuta bri saj. Këtë ndjesi të japin telajot e piktorit Adrian Çene.
Pas realizimit të një cikli të gjatë tablosh me në fokus ndërthurjen e natyrës dhe njerëzoren, tashmë ai i është kthyer një cikli, që është sfidë për çdo artist, portreteve. Silueta burrash shfaqen një nga një, në hapësirën ku piktori ndërton personazhet e tij imagjinarë, të cilat reflektojnë më së miri njeriun e sotëm.
Nëse mendojmë se piktura sot i është larguar njeriut, arti i Çenes ndjek shqetësimin e njeriut modern, duke e reflektuar atë në çdo tablo. Shpesh siluetat që reflektohen i ngjajnë artistit, por ky është vetëm mirazhi, pasi në thelb ai ka portretizuar Tjetrin, atë që ndjehet sapo ti e vështron këtë pikturë. Me duart e mbështetur në dyshemenë e verdhë një burrë sheh reflektimin e tij në pasqyrë. Është e vështirë të deshifrosh atë çfarë ai ndjen apo kërkon në këtë përballje, por mund të lexosh lehtë ndjesitë që kjo pikturë lë tek ty.
Në kohët që jetojmë pikëpyetjet e njeriut përballë vetes janë më të shpeshta, po aq sa dhe kërkimi i tij për të gjetur përgjigjet. Pasqyra është një element të cilin Çene e përdor si një simbolik lidhëse e reflektimit për të cilin ka nevojë njeriu apo familja e sotme. Jo më kot në një prej telajove përballë pasqyrës janë tre personazhe, dy silueta burrash dhe një grua. Silueta e saj është e brishtë, e në portret i dallohen flokët e gjatë të kapura të verdha.
Nga njëra tek tjetra telajo ti sheh një rritje të autorit, në mënyrën sesi kërkon të shohë këto portrete, si një laborator për kohën ku jetojmë. Ai nuk do të fshehë asgjë, dhe kur kupton se buzët e një gruaje tashmë janë transformuar prej dhembjes që mbart. Piktori e tregon fytyrën e saj siç është, bashkë me shenjat që kanë lënë mbi fytyrën e saj, ngjarje, e njerëz, që ka njohur në jetë.
Në një tjetër telajo ai i vendos personazhit një thikë përshkon bluzën me vija të personazhit. Dikush mund ta interpretojë si një përpjekje për të hequr të keqen brenda tij, dikush tjetër si një përballje të dëshpëruar shpesh për të vrarë tjetrin brënda nesh, zemërimin e tij. Por Çene e lë këtë telajo pa një diciturë i bindur se arti i vërtetë i merr diciturat gjatë kohës, nga perceptimet që vizitorët do kenë gjithnjë për të. Nëse mendojmë se historia e pikturës shqiptare pas viteve 90-të është ndalur, telajot dhe puna e Adrian Çenes na tregon të kundërtën.
Ai ka ndërtuar përmes tyre një histori tjetër të pikturës sonë, që kërkon të mbart brenda, gjithë elementët e këtij rrugëtimi prej tre dekadash, por përmes njeriut. Ngjyrat, janë në shërbimin të kaosit të brendshëm njerëzor, atij kaosi që arti përpiqet ta hulumtojë prej shekujsh. Nw njw telajo i veshur me bluzë të kuqe, ai është piktori. Ai që nuk resht së kërkuari të ngjyrave që do ta bënin më të bukur kaosin.
Një veçori e pikturave të Çenes është dhe mënyra sesi ai luan me ngjyrat. Është ndoshta një prej artistëve që e bën aq të dashur e në të njëjtën kohë zotëruese të verdhën. Këto potrete që ende nuk kanë ardhur në një ekspozitë, me siguri do të jenë në fokus të kritikës më vonë, por dhe pjesë e qenësishme e historisë së artit të kohës që jetojmë.
Kjo, pasi Çene di të shohë përtej dimensioneve lokale, dhe ti bëjë këto portrete përfaqësuese dhe për një publik që jeton kilometra milje larg që këtu. Çene është një prej artistëve modernë shqiptarë i diplomuar për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1992. Ai jeton dhe punon në Tiranë.
Krijimtaria e tij ka kaluar përmes përshtatjes së kërkimeve individuale në botën e pafund të trajtesave që arti i ditëve të sotme i sugjeron çdo artisti. Në këto 30 vite krijimtari Çene është dalluar për një pikturë stilistike foviste, ku dominon ekspresiviteti figurativ i sendeve të abstraguara, kontrasti në marrëdhëniet e ngjyrave dhe përdorimi i një linje të plotë vizatuese.
Gazeta Shqip