7 Mars 2025

112 milionë eurot e programit të IPARD III nuk do të hapen as këtë vit. Gjithë këto para që shqiptarët i përfitonin falas nga Brukseli, tashmë po ju merren nga taksat pas bllokimit të fondeve europiane për bujqësinë nga korrupsioni i kësaj qeverie. Financime nga BE për bujqësinë shqiptare nuk do të ketë as në 2026, derisa të ndëshkohen të korruptuarit. Kërkesa kryesore e Brukselit gjithë këtë kohë ka qenë që të arrestohen abuzuesit, pasi deri më tani nuk ka asnjë të dënuar për këtë skandal.

Frida Krifca u shkarkua nga detyra e Ministres së Bujqësisë, për shkak të nisjes së hetimit nga SPAK dhe dosjes që solli Zyra Europiane Anti-mashtrim (OLAF), lidhur me vjedhjen dhe abuzimin e këtyre fondeve. Edhe pas batërdisë së zbuluar nga OLAF, EUROJUST e Qeveria Gjermane si donatore kryesore si edhe nisjen e hetimit nga SPAK për këto fonde, asnjë arrestim deri tani nuk ka ndodhur, madje Edi Rama i ka dhënë Krifcës një post tjetër qeveritar duke e emëruar këshilltare në Kryeministri.

BE kërkon “kokën” e Frida Krifcës

SPAK ka patur paralajmërime nga Brukseli se nëse nuk ndëshkojnë Krifcën dhe bashkëpunëtorët e saj për abuzimet me fondet, do ta marrin vetë në dorë këtë çështje, duke i thirrur të kallëzuarit në Bruksel. E nëse ata do refuzojnë të paraqiten vullnetarisht, do përdoren format dhe mjetet e detyrueshme ligjore ndërkombëtare, për t’i hetuar e gjykuar në izolim atje. Drejtuesi i SPAK ka marrë letër-kujtesa nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit e Korrupsionit Fondeve të BE, lidhur me kallëzimin penal që kjo zyrë e BE, ka bërë për korrupsionin me fondet bujqësore dhënë AZHBR në vitet 2017-2020. Ky kallëzim penal në SPAK është bërë më 13 qershor 2021, për 134 milionë Euro grande të fondit “IPARD-II” të BE, të cilat nuk u janë dhënë fermerëve, por janë vjedhur me projekte false me vendime të ish-Drejtores së AZHBR, Frida Krifca në bashkëpunim me vartësit e saj.

Më 22 qershor 2021, Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Komisionit Evropian, njoftoi kryeministrin Edi Rama, ish-Ministren e Bujqësisë, Milva Ikonomi dhe ish-Drejtoren e AZHBR, Frida Krifca, se BE do ndërpriste fondet bujqësore për Shqipërinë. Menjëherë pas këtij vendimi, OLAF depozitoi 74 dosje abuzimesh me fondet e fermerëve kundër Frida Kircës dhe 7 vartësve të saj dhe kërkoi hetimin dhe vënien para përgjegjësisë penale, të autorëve të krimit financiar dhe detyrimin e përfituesve të paligjshëm, për të ri-kthyer milionat që kanë marrë. Por që prej muajit qershor 2021 kur BE bëri kallëzimin penal ndaj Frida Krifcës e vartësve të saj, SPAK nuk filloi asnjë proces hetimi. E sikur të mos mjaftonte kjo në shtator 2021, kryeministri Edi Rama edhe pse e kishte marrë raportin e BE me abuzimet e fondeve, e emëroi Fridën Ministre Bujqësie.

Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit, Korrupsionit e Vjedhjes së Fondeve të BE nuk u dorëzua dhe në shtator 2022 e në janar 2023, depozitoi në SPAK edhe dy dosje me raste abuzimi të fondeve bujqësore, por sërish SPAK e la në heshtje kallëzimin penal. Në muajin maj 2023, përfaqësuesit e zyrës OLAF të BE erdhën përsëri në zyrat e SPAK, ku kërkuan sqarime për ecurinë e hetimit, ndërsa më 28 shtator 2023, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, deklaroi para mediave se ka nisur hetim për fondet bujqësore të BE. Por këto hetime vijojnë të jenë në heshtje prej 4 vitesh nga kallëzimi; dhe SPAK as nuk e ka marrë në pyetje të Frida Krifcën. Mbetet të shohim se çfarë do të sjellin hetimet e Prokurorisë së Posaçme duke patur parasysh se Ilir Beqaj, i cili njësoj si Krifca abuzoi me fondet e BE ka përfunduar pas hekurave.

Nga: Gazeta Sot