Noka-Agron Shehajt: – A ke ngrënë drekë në Firence me Agaçin, Kryebashkiakun e Tiranës dhe…
21 Dhjetor 2024
Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në Neës24 tha se deputeti Agron Shehaj është në shërbim të Kryebashkiakut Erion Veliaj.
Noka tha se jo çdo njeri, babai i të cilit kapet duke vjedhur qilimat e vilës së Petrit Dumes, konsiderohet i burgosur politik.
Duke shtuar akuzat në drejtim të Shehajt për lidhje me Veliajn, Noka i drejtoi 3 pyetje, për të cilat tha se priste përgjigje nga Agron Shehaj.
“A ke ngrënë drekë në Firence me Engjëll Agaçin, Erion Veliajn dhe vëllain e Kryebashkiakut të Tiranës?
A ke biznes me vëllain e Erion Veliajt në Itali?
A ju ka sjellë nga Italia Engjëll Agaçi dhe Erion Veliaj dhe të çuan te Lulzim Basha, pasi Edi Rama të refuzoi?”, tha Noka, duke ia drejtuar pyetjet publike Shehajt.
Noka tha se në seancën e fundit plenare, Shehaj duke marrë rolin e opozitarit të opozitës, i ndërpriste fjalën çdo deputeti të opozitës, ndërsa nuk ndërhynte te ato të mazhorancës.
“Shehaj bëri një tango me Belinda Ballukun, ato janë një, janë Edi Rama. Janë ushtarë të Ramës, janë pushteti dhe lidhja e korrupsionit që i mbajnë bashkë. Pse Shehaj shfaqi gjithë atë dashuri me Ballukun dhe jo me mua?”, tha Noka.