7 Qershor 2024

Fjala e deputetit të PD, Flamur Noka, përpara protestuesve tek Kuvendi i Shqipërisë

Noka: 100 hapa larg nga ju po shikoni se si po zhvillohet një seancë narko-parlamenti. Parlamenti i turpit, parlamenti i drogës! Atje keni përfaqësuesit tuaj, por pjesa tjetër janë përfaqësuesit e Ben Ndokës, janë përfaqësuesit e Rrahman Rrajës, janë përfaqësuesit e krimit të organizuar shqiptar. Ata janë përfaqësuesit e narko-shtetit. Ajo Lindita atje, përfaqëson Eskobarin dhe jo vetën e qytetarit shqiptar. Ata deputetë atje janë përfaqësues të narko-shtetit dhe narko-regjimit.

Kanë 11 vjet që kanë bërë gjithçka për ta fshehur fytyrën e vërtetë të regjimit të Eskobarit të Surrelit dhe ata tashmë kanë blerë media, kanë blerë edhe politikanë të opozitës.  Kanë bërë gjithçka edhe për të blerë ndonjë ndërkombëtar që vetëm e vetëm, realiteti i Shqipërisë… U munduan dhe e futën shejtanin në shishe. Por jo.  Menduan se shejtanit i vunë maskën e engjëllit dhe do të drejtonin për 11 vjet, t’ia shisnin këtë imazh gjithë botës perëndimore, gjithë botës së qytetëruar, por u deshën vetëm tri media, u desh  RAI3 që t’i çjerrë maskën  këtij regjimi dhe t’i thotë gjithë botës se në Shqipëri nuk ka qeveri por ka narko-shtet.

U desh RAI3, u desh BILD, u desh Washinton Examiner që t’i thonë gjithë botës se Shqipëria nuk ka kryetar qeverie, por ka kreun e narko-regjimit. U deshën tri media që të nxjerrin të palarat e këtij shteti kriminal. U desh një media si RAI3 që t’i tregojë gjithë botës se në zyrën e kryeministrit, aty ulet krimi i organizuar, në ato karrige ku duhej të uleshin partnerët tanë kur vijnë në takime zyrtare. Por në ato karrige është ulur karteli i Sinaloas, në ato karrige Rama ka ulur Ben Ndokën, Rrahman Rrajen, ka ulur Durim Bamin, ka ulur Behar Bajrin, ka ulur Pëllumb Gjokën, ka ulur gjithë krimin e organizuar shqiptar vetëm e vetëm me një qëllim që t’i përdorë për të blerë vota dhe bllokuar rotacionin, që është gjëja më e shëndoshë në një demokraci.

Nga OraNews