Novruz Xh. Shehu: “Zoti Manhatan!”, një libër si amanet dhe nje poezi.(+foto)
Novruz Xh.Shehu/“Zoti
Manhatan!”, një libër si amanet
Një vit pas ndarjes nga jeta botohet libri i studiuesit dhe poetit, ku përfshihen një poemë, ditari i Amerikës dhe mbi 40 portrete shqiptarësh të njohur… Ndërsa jetonte ditët e fundit të jetës së tij, studiuesi, poeti shkrimtari dhe publicisti Novruz Xh.Shehu, i kishte lënë amanet bashkëshortes së tij, të botonte një libër që ai e kishte lënë pothuajse të përfunduar. Ai nuk mundi ta shihte në librari këtë vepër, edhe pse për shumë kohë punonte me të.
“Zoti Manhatan!” doli dje (24 nentor 2017) nga shtypi, si një shenjë përkujtimi në 1- vjetorin e ndarjes nga jeta të autorit. Bashkëshortja dhe fëmijët e tij u kujdesën që libri të shihte dritën e botimit ashtu siç studiuesi dhe poeti Shehu e kishte lënë amanet. Libri është një sprovë historike-letrare ku në bosht është Amerika dhe gjithë perceptimet, ëndrrat dhe përjetimet që e lidhnin autorin me këtë vend.
Libri përfshin ndjesitë dhe përjetimet e autorit gjatë vizitës së tij të vetme në Amerikë, lënë në formë ditari, një poemë e gjatë me titullin “Zoti Manhatan!”, prej të cilit mori titullin edhe libri, disa persiatje dhe këndvështrime historiko-letrare rreth ngjarjeve dhe personazheve shqiptar-amerikanë dhe një tablo mjaft e vyer që përmbledh historitë e shqiptarëve në Amerikë, nga të dhënat e para që dëshmojnë praninë e tyre në këtë tokë e deri tek veprimtaria e shqiptaro-amerinkanëve në ditët e sotme.
Dy shkrime homazh shkruar nga dr.Isuf kalo dhe Keze Kozeta Zylo, kushtuar poetit dhe studiuesit Novruz Shehu, janë botuar në hyrje të këtij libri, duke bërë një ekspoze të gjithë pasioneve dhe veprimtarisë së tij të palodhur në fushën e letrave. Libri mbyllet me mbi 40 portrete personalitetesh shqiptare që jetuan, punuan dhe dhanë kontributin e tyre në Amerikë që nga fillimi i shekullit të kaluar e deri në ditët e sotme, pothuajse në të gjithë sferat e jetës shoqërore.
Libri i sapobotuar “Zoti Manhattan!- Në Amerikë me gërvishtësit e qiejve”, do të prezantohet me një grup miqsh e të afërmish të poetit dhe studiuesit Novruz Xh.Shehu, si një formë kujtimi dhe nderimi për të në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta.
Shkrimit po i bashkangjitim edhe nje Poezi te Novruzit.
Novruz Xh Shehu
VENDIMI i ZOTIT
NË PËRVJETORIN TIM TË LINDJES
Sonata -IV-
-O Zot dua gjykimin dhe vendimin tënd
Në përvjetorin e ditëlindjes sime!…
….Shkula flokët, këngët, tërë mllefin
Që s’kish asnjë emër
Dhe i hodha nëpër mjegullnajat
Ndërsa rrinin të mbushura me shira
e tufane …
-Ti i gjykon së vdekuri njerzit,
Unë dua së gjalli Zot i Zotërve,
Nëse vërtet me mjekrën
Sjell në spiralen tënde miliarda shpirtra
Që ushqejnë diejt në multiversin tënd!
Në rast të kundërt ti s’je askund
Dhe ne endemi në akundërinë
E pafundme të lindur nga askushi
Për askushin në askushërinë e shurdhër!…
…Zoti, si me askënd tjetër,
Ndryshoi per mua një nga nenet e Kushtetutës
së inteligjencës supreme,
lëshoi tërë lumenjtë e diejve nëpër qiej,
Mblodhi nëpër anët e tërë oqeaneve qiellore
Mjegullnajat, humbnellat e ozonit,
Miliardërinë e yjeve
Dhe urdhroi të rrinin ashtu siç rrinë
të afërmit e të pandehurve, përpara meje:
-Ngrehu bir!…
-Të qofsha falë Zot i Zotërve!…
-Më kërkove, biri im!…
-Ashtu është imzot!
…fytyra ime u shndërrua në ftua
Si koka e një njeriu që vendoset
Në lakun e litarit për tu lexuar
Nga të gjallët e pabindur…
Zoti vazhdoi:
-Ndërsa më kërkojnë të tëra pafundësitë
Pakryet e paanësitë…dhe të gjithë i dëgjoj e askujt
Si përgjigjem,
për ty bëra ndryshe…
-Të qofsha falë, Zot i Zotërve!…
– Çfar kërkon biri im?…
Zoti lëshoi zërin e tij
Në krahët e hyjnive, që u sulën si
Tërë kometat që bien e shuhen
Në kraharorin e qiejve
Apo tokës së drobitur,
Dhe unë u shndërrova në pyetjen:
-Dua Gjykimin tënd Zoti im!…
Stinët befas e humbën stinërinë
Ashtu si në dhënien e vendimeve
Me burg të përjetshëm…
-Dëgjo e mos harro, biri im!…
Brënda tërë ditëve, tërë kohëve
Në pafundësitë e atyre që enden
Ku s’arrin mëndja sado e stërvitur e njeriut,
Ti do ngjitësh e zbritësh përjetësisht Ferrin,
Purgatorin, Parajsen!…
…Dhe u mbyllën qiejt ndërsa sërish ulërita
E askush s’dëgjoi…:
-Zoooot…Pse kështu o Zoooot,
Na mbylle në një arkivol të përbashkët
të miliarda shekujve?!!!!!!!!!…
Tiranë 11. 04.2016
Pergatiti: J. Brahaj