“Nuk e kam imagjinuar kurrë se…”/ Analisti Fatos Lubonja shpërndan videon: Kullat e mafies po zëvendësojnë ndërtesat historike në Tiranë

27 janar 2021

Rreth 20 vjet pasi qendra e Tiranës u shpall monument kulture, panorama e qendrës së kryeqytetit shqiptar është komplet ndryshe.

Duke publikuar një video se çfarë ka ndodhur përgjatë kësaj periudhe, analisti Fatos Lubonja thotë se zona është mbushur me kulla në ndërtim, duke shndërruar plotësisht pjesën historike të qytetit.

Postimi:

Në vitin 2004, kam botuar një shkrim me titull “Tirana si qytet i qytetarëve dhe kryeqytet i pushtetarëve”

ku kam shkruar mbi shpërndërrimet që ka pësuar qendra e Tiranës përgjatë historisë së saj si kryeqytet. I kam interpretuar këto si shprehje, me gjuhë urbane e arkitektonike, e ideologjisë dhe psikologjisë së pushtetarëve të kohëve si dhe e raportit të tyre me banorët e Tiranës. Kam venë në dukje edhe se në vend se çdo brez të ndërtonte hapësirat dhe simbolikat e veta, në Tiranë pasardhësit kanë ndërtuar mbi shembjen dhe dhunimin e veprave dhe simbolikave të paraardhësve .

Por megjithëse e kam denoncuar Edi Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij si shembëlltyrë e paraardhësve “ku bashkohet për mrekulli, injoranca, arroganca ndaj qytetarëve dhe ndaj historisë si dhe deliri i pushtetit” më duhet të pohoj se në vitin 2004 nuk e kam imagjinuar kurrë se përçudnimi i qendrës së Tiranës – me kullat e mafies që po zëvendësojnë ose mbysin ndërtesat historike – do të bëhej kaq hapur simbol i një shpërndërrimi që do të mbahet mend si ai i pushtetit të krimit të organizuar në Shqipëri.

Gazeta Panorama