“Nuk ekstradohet askush” – Artan Hoxha: Shqiptarët kanë investuar minimalisht 1 mld dollarë në Dubai, një pjesë e madhe e parave do vijnë te Porti i Durrësit
14 Dhjetor 2022
Gazetari Artan Hoxha ka deklaruar mbrëmjen e sotme se shqiptarët që janë vendosur në Dubai për t’i shpëtuar drejtësisë kanë investuar në këtë vend minimalisht 1 miliard dollarë.
Ai tha në MCN se një pjesë e madhe e parave që do të shpenzohen në projektin e portit të Durrësit janë paratë e tyre.
“Ata që ndodhen në Ekuador, s’janë bosët, bosët janë në Dubai. Ofron parajsë penale, janë të paekstradueshëm, një parajsë fiskale, sepse autoritetet s’duan t’ia dinë fare ku i ke gjetur paratë, investoi aty, dhe mos u ngatërro me çështjet e terrorizmin. Ata që janë në Ekuador janë emisarët e atyre që shesin në Europë. Edhe ata të Shqipërisë që janë në kërkim, janë atje.
Në Dubai nuk ekstradohet askush. Dubai është fenomen botëror, një problem botëror, ke pushtetarë të korruptuar nga e gjithë bota. Dubai s’prodhon asgjë, ka vetëm ujë dhe shkretëtirë. Vetëm shqiptarët kanë investuar minimalisht 1 miliardë dollarë, por kam frikë se janë shumë më tepër se kaq. Besoj se një pjesë e madhe e parave që do vijnë te Marina, janë paratë e atyre. Në Shqipëri sot ka dy lloj parash të pista, paraja që del nga korrupsioni që shkon në offshore, dhe ajo që vjen nga narkotrafiku”, deklaroi Hoxha.
Më tej ai theksoi se grupet e mëdha tentojnë ta kenë mirë me pushtetin. “Kompani serioze në Shqipëri detyrohen të marrin para te ata. Shumë nga kompanitë e mëdha janë drejtuar atje. Unë jam për legalizim, formën hajde ta diskutojmë. Që kjo para të mos takojë destabilitet, viktima, prishje të rregullave të tregut, të mos investohet në fushatë. Zakonisht grupet e mëdha tentojnë që ta kenë mirë me pushtetin. Pasi nuhasin që pushteti po kalon në këtë drejtim ato investojmë. Vitet e fundit kemi interferimin e kësaj paraje që na prish gjithë sistemin”, u shpreh ai.
Gazeta Panorama