10 Mars 2023

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk ka ndërmend të krijojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.Ai tha se vendimi i marrë sot nga BE për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, është një inkurajim për Kurtin.

“Kurti është i vendosur të mos e formojë Asociacionin. Liberalizimi i vizave është një inkurajim për Kurtin. Lajçak do të mbërrijë në Beograd të hënën, ne do të përpiqemi të gjejmë një lloj rruge drejt progresit për normalizimin e marrëdhënieve.Ne do të kemi një takim 30-minutësh dhe më pas do të kaloj de facto dy ditë duke punuar me të dhe duke u përpjekur të gjej një lloj rruge përpara për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ne nuk kemi asgjë kundër heqjes së vizave për Kosovën dhe duhet t’i gëzohemi atij vendimi. Por, momenti në të cilin ndodh kjo, tregon se ata jo vetëm që nuk janë të gatshëm të ushtrojnë presion, por janë duke e inkurajuar Kurtin që të vazhdojë politikën e mospërmbushjes së obligimeve të veta”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se nuk ka ndërmend të nënshkruajë kapitullimin e Serbisë.

“Nuk më shkon mendja të nënshkruaj kapitullimin e Serbisë. Nuk do të ketë kapitullim, dorëzim, u thashë të gjithëve se Serbia nuk do të pajtohet me hyrjen e Kosovës në OKB, as nuk do ta njohim pavarësinë e saj në një mënyrë apo tjetër. Ju përmbushni detyrimin, formoni Asociacionin dhe unë ju them që nuk do ta bëjë. Ne jemi të gatshëm të bëjmë kompromise të shumta, por shqiptarët nuk do të bëjnë asgjë”, tha presidenti serb.

(BalkanWeb)