Nuk janë të gjitha mëkatet të Besa Shahinit!
Nuk janë të gjitha mëkatet të Besa Shahinit!
I duheshin Edi Ramës dy emra nga Kosova, me qëllim që të maskonte veprimtarinë e tij pro serbe …
14 SHTATOR 2020
Nga ENVER BYTYÇI
Ministrja e Arsimit , Besa Shahini, deklaroi se do të largohet nga detyra e ministres, madje dhe nga politika e nga Shqipëria.
Që kur Besa Shahini erdhi në Tiranë si zv.ministre e sidomos kur u emrua ministre e Arsmit të Shqipërisë u duk qartë se kryeministri shqiptar po e përdorte për nevojat e tij të politikës personale e ditore. I duheshin Edi Ramës dy emra nga Kosova, me qëllim që të maskonte veprimtarinë e tij pro serbe me propagandën nacionaliste të emrimit në kabinetin e tij të një ose dy kosovarëve. Por veç kësaj ai, si në çdo gjë tjetër, fshehu intrigën për diskreditimin e personazheve që aktivizoi.
Objektiv i tij ishte diskreditimi në sytë e shqiptarëve ishte Kosova. Ishte krijimi i imazhit se “Në Kosovë nuk mund të gjesh njeri të edukuar dhe civilizuar të denjë e të aftë për të përballuar detyrat shtetërore”! Ndryshe do të kishte marrë dike tjetër në kabinetin e tij. Në vend të Besës mund të merrte ndonjë profesor universiteti si minister të arsimit. Por jo. Ramës i duhej t’i jepte Besës një barrë që nuk mund ta mbante dhe më pas të tallej me të. Madje të lëshonte ushtrinë e rrjeteve sociale për këtë qëllim. Të njëjtin fat do ta ketë gjithashtu Gent Cakaj, sado që Rama ua ka hatrin për këtë Batonit!
Edi Ramës i duhej kjo sjellje, sepse ai është mësuar ta shohë lartësinë e tij duke u krahasuar me ministra analfabetë. Është sëmundje e të gjithë diktatorëve. Rama, në kushtet e dështimit të tij të plotë, synon që me sjellje të tilla t’i bëjë shqiptarët të joshen nga mentaliteti i diktaturës, sipas të cilit “Atje lart uji buron i pastër, por e turbullojnë këta që janë poshtë”!
Ndërkaq kryeministri me emrimin e Besa Shahinit si minister e Arsimit donte t’u thoshte shqiptarëve se “Këta janë kosovarët! Se nuk kanë aftësi qeverisëse, për pasojëj duhet t’i fusim nën sqetullën tone”. Pra, i duhej, sepse asokohe Rama po luftonte për projektin e ndarjes së Kosovës dhe për pasojë të bashkimit të pjesës së mbetur me Shqipërinë. Zhbërja e shtetësisë së Kosovës kishte nevojë të shoqërohej me një lloj imazhi negative për aftësitë vetëqeverisëse në Prishtinë. Dhe “si rastësisht” kjo psikozë përkon me propagandën serbe, sipas së cilës “shqiptarët janë të paaftë për t’u vetëqeverisur, ndaj dhe kanë nevojë për kujdestarinë e Beogradit”!
Dikush mund t’i shohë këto që shkruaj si hamendësime e të pavërteta. Por do ishte e mjaftueshme të kthehemi në vitet 1991-1997 e të lexojmë komentetet, analizat dhe opinionet e Edi Ramës botuar me emër e me pseudonime, në të cilat ai nxiste asokohe armiqësinë midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës. Fryma, sipas së cilës shqiptarët e Kosovës janë “shfrytëzues”, “të pashpirt”, “abuzues”, madje dhe “imoralë” dhe “të pabesë” gjendet në sa e sa artikuj të Edi Ramës në atë kohë. Fryma e përçarjes midis dy pjesëve të kombit shqiptar është e dukshme në rrjeshtat e midis rjeshtave të shkrimeve të tij. Të njëjtën gjë kryeministri i Shqipërisë bëri gjithashtu kur ishte minister kulture, kryebashkiak i Tiranës dhe tani si shef i ekzekutivit shqiptar. Mjafton të kujtojmë se si u soll me politikanët shqiptarë të Kosovës këto vite, sa kontravers është në këto sjellje po ta krahasojmë afrësinë e tij me Vuçiç me ashpërsinë që shfaq kundër Kosovës e liderëve të saj.
Besa Shahini erdhi nga Prishtina në Tiranë me entusiazmin e e një vajze idealiste. Por tani duket qartë se ajo ndjehet e tradhëtuar, e keqpërdorur dhe e përbuzur. Prandaj ajo në në një farë mënyre “nuk do që t’ia shohë sytë më Shqipërisë”! Vendimi që të refuzojë kontributet e saj për Rilindjen është prove zhgënjimi, nuk është çeshtje e problemeve familjare.
Besa Shahini, ndryshe nga kontigjenti i kriminelëve që u angazhuan nga Rama në Rilindje, është e dëshpruar nga kjo sjellje, sepse ajo nuk erdhi nga ky kontigjent. Kriminelët e lidhur me Ramën janë keqpërdorur njësoj si edhe Besa, deri te kryerja e akteve të dhunshme për të goditur në korridoret e Parlamentit deputetët e opozitës. Por ata kanë dalë nga dera dhe janë rikthyer nga dritarja. Edhe pse të keqpërdorur prej Edi Ramës kriminelët bëjnë gjithçka për të vazhduar “kontributet” e tyre për t’ia garantuar vazhdimësinë e pushtetit shefit të tyre.
Para një viti i kam shkruar një letër ministrit Lleshi dhe e paralajmëroja se sot je e nesër nuk je ministër. Nuk mund të jesh i respektuar dhe i nderuar, kur nuk je I tillë në kabinetin qeveritar. Tani Sandrin, pasi u keqpërdor nga Edi Rama, pritet ta shohim rrugëve të Tiranës. Por si do ndjehet para prindërve të fëmijëve të cilëve u hodhi gaz lotsjellës? Si do të ndjehet para gazetarëve dhe artistëve që i mori zvarrë rrugëve të Tiranës?!
Ka vetëm një rrugë për t’i shpëtuar këtij makthi: Si Sandri dhe Besa të denoncojnë arrogancën dhe abuzimin me pushtetin të Edi Ramës! Reforma në arsim e dështuar është vepër e Edi Ramës, nuk është e Besa Shahinit, edhe pse ajo ka mëkatet e saj. Shteti policor në Shqipëri është vepër e Edi Ramës shumë here më tepër sesa e Sandër Lleshit. Prandaj është e domosdoshme që të mos i fshehim dështimet e kryeministrit shqiptar pas mëkateve të Besa Shahinit, pa patur si qëllim fshehjen e mëkateve të tyre!
Me shkurtime nga: Bota Shqiptare.