“Nuk janë vetëm mediat. Greqia ka blerë edhe politikanët shqiptarë”. –
“Nuk janë vetëm mediat. Greqia ka blerë edhe politikanët shqiptarë”. –
Mesila Doda, Sekretare e Përgjithshme e PDIU-së, e cilëson publikimin në mediat greke të dokumenteve që tregojnë se Athina ka sponsorizuar media në Shqipëri, si fillimin e një skandali më të madh.
Në një intervistë për “Fax News”, Doda thekson se ky skandal është vetëm maja e ajsbergut dhe Shqipëria u vendos në dijeni pas luftës së brendshme mes palëve në shtetin grek.
“Le të themi që është maja e ajsbergut, skandali ka marrë përmasa më të mëdha. Do të thotë është një politikë e vazhdueshme e shtetit grek dhe mos harrojmë që janë fonde të një ministrie. Të gjitha ministritë kanë fonde të caktuara nga shërbimet sekrete greke. Është shtrirë deri ku nuk mendojmë dot”,- tha Mesila Doda.
Sekretarja e Përgjithshme e PDIU-së shprehet se interesat e Greqisë ndaj Shqipërisë nuk kanë të bëjnë vetëm më çështjen e kufirit detar. “Kjo është arsyeja pse kemi kërkuar mbledhjen e këshillit të sigurisë nga Presidenti dhe marrjen e të gjitha informacioneve dhe nisjen e hetimeve nga ana e prokurorisë. Nisi si një hetim për blerjen e sekretit shtetëror në shtetin fqinj. Është një luftë e brendshme ajo që solli këto informacione dhe duhet të vlejë si një këmbanë alarmi për vendin tonë. Shteti grek ka futur duart brenda institucioneve tona, brenda shoqërisë civile me qëllim kanalizimin e qëllimit të tyre. Është një moment që nuk duhet kaluar i heshtur. Nuk është vetëm marrëveshja e ujërave është një qëndrim i shtrirë në shumë kohë për shtrirjen e Çamërisë. Sot kuptojmë që është një lloj formati dhe politike që përsëritet i vetëpaguar nga shteti grek”,- deklaroi Mesila Doda.
Përfaqësuesja e PDIU shton se për të gjitha rreziqet që mbartin skenarë të tillë, duhet të institucionet e shtetit të reagojnë sa më parë.
“Sot Idrizi ka kërkuar dy gjëra të domosdoshme, ndaj i takon presidentit të mbledhë Këshillin e Sigurisë. Të gjithë këto janë mekanizma institucionalë që presidenti duhet t’i bëjë të lëvizshme. Duhet zbardhur edhe lista e të gjithë portaleve mediave dhe politikanëve që janë të përfshirë në këtë aferë të turpshme”,- u shpreh Mesila Doda.
Gazeta: Koha e Jone.