“Nuk ka asnjë strategji për pastrimin e politikës”, Lubonja: SHBA po ndihmon për instalimin e një regjimi në Shqipëri
10 qershor 2021
Analisti Fatos Lubonja të enjten deklaroi se SHBA-të nuk kanë asnjë strategji për pastrimin e politikës shqiptare.
I ftuar në ‘Real Story’, Lubonja tha se ai që ka pushtetin do të përcaktojë se kush është i korruptuari, ndërsa shtoi se me ndihëm e Amerikës, ky pushtet do të eliminojë kundërshtarët e tij.
“Sikur unë ta besoja këtë narracionin që bëri Skënderi në fund, që qarkullon tani. Unë kam bërë edhe një shkrim dhe do ta firmosja me qetësi. Shqipëria do një proces që të vijë tek ai fillimi i mirë që presim ne. Unë nuk shoh pas një strategji amerikane për të pastruar politikën shqiptare. Shoh më së shumti mbështetjen që jep Amerika për instalimin e një regjimi në Shqipëri, pasi ju shkon filmi me vonesë. Amerika ka mbështetur Musolinin 12 vite për qëllimet e veta. Unë nuk e shoh këtë pasi nuk më çon logjika. Sipas meje, e para është gabim të mendosh se ti mund të pastrosh kaq shpejt politikën shqiptare, ndërkohë që ne e dimë se sa shumë e korruptuar është ajo. Ne menduam që do pastronim gjykata, dhe ngelën mbi 80 mijë dosje pezull. E dyta; ka të bëjë me stabilitetin politik. Si mund të lesh ti dhe të krijosh një situatë të tillë?! Në këtë situatë, me këtë drejtësi të kapur që ka, të gjitha hipotezat të çojnë se ai që ka pushtetin, do të përcaktojë se kush është i korruptuar dhe do bëjë eliminim të kundërshtarëve, me ndihmën e amerikanëve. Ja u pastruan gjysma e shqiptarëve që qenkan të keq, po nuk është garanci se gjysma tjetër do të sillet mirë. Drejtësia, ashtu si demokracia, nuk ekspertohet. Kemi nevojë për një drejtësi që ta bëjmë vetë, jo të na e sjellin amerikanët.”, tha Lubonja.
Gazeta Panorama