Nuk ka çelje negociatash pa u arrestuar “peshkaqenët” e korrupsionit, ja dosjet e nxehta që ka në dorë SPAK, a e ka hapur Dumani “Kutinë e Pandorës”?
Nga Igels Seliman
Zbulohet kushti i panegociueshëm i Brukselit që mund të tronditë politikën shqiptare ditët në vijim.
Gazeta “SOT” deklaroi pak ditë më parë se integrimi europian i Shqipërisë është në dorë të organeve ligjzbatuese, e veçanërisht SPAK dhe BKH, institucione këto që kanë tagrin për të hetuar dhe prangosur ministra dhe ish-ministra, kryebashkiak dhe ish-kryebashkiakë, drejtorë e ish-drejtorë, gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar.
Dhe duket se presioni mbi SPAK sa vjen dhe rritet, për shkak se pas ca ditësh do të vendoset për fatin e Shqipërisë dhe mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, e cila është zvarritur për shkak të vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut dhe injorimit që institucionet shqiptare i kanë bërë thirrjes së Brukselit për të çuara pas hekurave “peshkaqenët” e korrupsionit dhe kokat e krimet të organizuara që kanë lidhje me politikën dhe qeverisë.
Por ndërsa na ndajnë edhe pak ditë nga takimi i ministrave të BE që pritet të vendosin për fatin e Shqipërisë, presionin ndaj institucioneve vendase është shtuar shumë. Vitin që shkoi Brukseli i ka vendosur Tiranës zyrtare disa kushte që duhet të plotësojë në këmbimi të hapjes së dritës jeshile për t’iu çelur negociatat me BE, sikundër është edhe goditja me zero tolerancës ndaj zyrtarëve “VIP” dhe hetimi i prokurorëve dhe të ngelurve në veting.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, zhvillime interesante kanë ardhur dhe pas arrestimit të Nuredin Dumanit dhe marrëveshjes së tij me SPAK për bashkëpunimin, duke treguar lidhjet e tij me botën e errët të krimit, ku përflitet se ka lidhje edhe prokurorë, deputetë dhe ministra të qeverisë. Flitet se Dumani ka informacione interesante për zyrtarë të lartë, të cilat ua ka vënë në dispozicion prokurorëve të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Kështu që mbetet për t’u parë se cilët nga politikanët do të përfundojë duke u hetuar nga SPAK, për lidhjet me krimin e organizuar, ndërkohë që të emrat e të ngelurve në veting tashmë janë të njohur për qytetarët shqiptarë dhe mediat. Kujtojmë që dy presona që sot ndodhen në bangën e të akuzuarve, janë ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetit socialist, Alqi Bllako, Bllako dhe Koka akuzohen si të përfshirë në aferën e inceneratorëve dhe me gjasë, atyre pritet t’iu bëjnë shoqëri në burg edhe të tjerë zyrtarë dhe politikanë, që kanë abuzuar dhe shkelur ligjin. Pra nisur nga këto zhvillime, nuk ka dyshime dhe interpretime, pasi nisja e bisedimeve për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian kalon përmes shembjes së perandorisë së krimit dhe korrupsionit 30 vjeçar, duke qenë se në tryezën e SPAK janë shumë dosje tenderash dhe aferash korruptive, që po hetohen, si ajo e inceneratorëve, apo edhe ato të vjetra si “21 Janari”, etj. Thënë troç nuk ka çelje negociatash nëse nuk arrestohen politikanët dhe zyrtarët e korruptuar.
Të korruptuarit në Shqipëri janë në alarm
Ditët e fundit BE ka dhënë sinjale se është e gatshme që të çelë negociatat me Shqipërisë, ndërkohë që ka bërë të ditur se mund të gjendet zgjidhja për të anashkaluar veton “bullgare” që penalizoi vendin tonë, për shkak të konfliktit Maqedoni e Veriut-Bullgari. Por dora e shtrirë e Bashkimit Europian ka edhe anën tjetër të medaljes, sepse mesazhi i Brukselit për shqiptarët është shumë i qartë: “Pa u prangosur kokat e krimit dhe korrupsionit, nuk ka bisedime për pranimin e Shqipërisë në BE”.
Kjo do të thotë se muajt që vijnë janë vendimtar për integrimin, pasi Bashkimi Europian do të ripërsërisë qëndrimin për “perspektivën evropiane” për Ballkanin Perëndimor. Më konkretisht gazeta ka mësuar se sikurse edhe në deklaratat e mëhershme, nga samite të ngjashme, edhe kësaj radhe pritet të përsëriten thirrjet për respektimin e parimeve të demokracisë, sundimit të ligjit, lirisë së mediave, shoqërisë civile, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat e pakicave dhe kritereve tjera të cilat janë parime themelore të BE-së. Kështu që nisur nga presioni i madh i Brukselit për Tiranë zyrtare që hapja e negociatave duhet të shoqërohet me hetimi në nivele të larta, sytë tashmë janë tek SPAK dhe BKH.Është pikërisht Prokuroria Speciale, ajo që ka në dorë hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, pasi integrimit varte nga goditjet që SPAK do të bëjë sa i takon luftës kundër korrupsionit në nivel të lartë dhe krimit të organizuar. Pra thënë troç në fund të tunelit ka dritë jeshile dhe se po ngushtohet laku për të korruptuarit, ku më të rrezikuar janë prokurorët dhe gjyqtarët e ngelur në veting, si dhe politikanë dhe pushtetarët e përfshirë në afera. Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Gazeta Sot