“Nuk ka gjenocid në Srebrenicë!” Ambasadori i Izraelit në Serbi: Çdo gjë në OKB është politike
27 Prill 2024
Për Ambasadorin e Izraelit në Serbi, Jahel Vilan, krimet e luftës në Srebrenicë nuk mund të quhen gjenocid. Në një intervistë për median ruse, Sputnik, ambasadori i Izraelit theksoi se për të pasur një përcaktim të qartë të termit gjeoncid çështja iu duhet lënë në dorë autoriteteve shkencore.
Sipas Vilan, përdorimi i termit gjenocid në rastin e Srebrenicës është i gabuar dhe jep një pamje të shtrembëruar të ngjarjes.
“Nuk po them që Holokausti është i vetmi gjenocid, ka pasur gjenocide të tjera nëpër botë. Por, kur ju e quani Srebrenicën gjenocid e zvogëlon rëndësinë e këtij termi. Izraeli u ftua në Hagë për shkak të gjenocidit të supozuar në Gaza. Për mua, Srebrenica nuk duhet të quhet gjenocid”, tha Jahel Vilan, Ambasador i Izraelit në Serbi.
Vilan përpiqet ta lidhë iniciativën e Kombeve të Bashkuara për rezolutën e Srebrenicës si një veprim politik të kësaj organizate. Gjithçka, sipas tij, është politikë në OKB.
“Nuk bëhet fjalë për fakte historike, as për aspekte morale, por për politikë. Gjithçka në OKB është politike. Ka standarde për një vend dhe standarde të tjera për vendet e tjera. Për fat të keq, në shumicën e rasteve ne vuajmë nga një formulë e tillë me të cilën funksionon OKB-ja. Ndoshta Serbia do të vuajë nga e njëjta politikë e OKB-së”, u shpreh ambasadori.
Përfaqësuesi i një vendi që përjetoi tmerret e Luftës së Dytë Botërore dhe gjenocidin më të ashpër, përpiqet të bëjë analogjinë ndërmjet Izraelit dhe Serbisë, pasi edhe kjo e fundit akuzohet nga OKB për shfarosje masive në Rripin e Gazës. Theksojmë se propozimi për rezolutën e Srebrenicës është bërë nga kreu i misionit të Bosnje-Hercegovinës në OKB, me iniciativën e tij, pa vendim të Presidencës trepalëshe të Bosnjes.
Nga OraNews