“Nuk ka hapje negociatash”: Gëzimi i Cakajt dhe reagimi i Krichbaum. –

29/04/19

Kryeministri Edi Rama dukej se e dinte se ajo që mund të ‘shiste’ nga takimi në Berlin ishte vetëm shtrëngimi i duarve me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Por kryediplomati në detyrë, Gent Cakaj bëri një koment menjëherë pas takimit, duke shkruar se kancelarja Merkel ‘konfirmoi mbështetjen absolute të Gjermanisë për çeljen e negociatave’. Megjithatë entuziazmi i tij bie ndesh me deklaratën që shpërndau vetë Edi Rama, ku takimi përshkruhet me nota të thata, pa dhënë asnjë detaj për çështjen e negociatave.

Ishte media publike gjermane, Deutsche Welle që saktësoi se në qershor nuk do ketë një vendim për hapjen e negociatave. Kjo për shkak se grupi parlamentar i CDU mendon se afati kohor që nga publikimi i raportit të progresit të BE-së, më 29 maj deri në samitin e BE-së në qershor nuk mjafton për të marrë një vendim për çeljen e negociatave. Burime nga CDU/CSU i thanë DW-së vendimi i tyre do të shtyhet në shtator.

Se çfarë mendimi do merret në shtator, kjo mbetet e hapur. Deutsche Welle shkruan se për momentin kjo gjë mbetet shumë e pasigurt. Kurse Reuters shkruante se në fakt Merkel nuk do e ketë të lehtë të votojë pro hapjes së negociatave me Shqipërinë pas kundërshtimeve në grupin parlamentar të CDU.

Ndoshta në qershor mund të ishte marrë një vendim nëse raporti i progresit nga KE do ishte publikuar në prill si zakonisht. Por ai u shty për shkak të frikës së publikimit përpara zgjedhjeve europiane.

Gjermani Gunther Krichbaum, shef i komisionit për Europën në Bundestag, i njohur për qëndrimet e tij ndaj qeverisjes së Edi Ramës, tha se do donte ta shihte progres-raportin të publikuar përpara zgjedhjeve europiane.

“Njerëzit kështu po krijojnë idenë se BE ka diçka për të fshehur. Por ky nuk është rasti,” tha ai.

Nga: mapo.al