Nuk kanë të sosur skandalet e Veliajt, – 80 mijë USD Ardit Gjebres për publicitet personal. –

04/01/2019

Një shprehje hebreje thotë: ‘Vetëm djathi në çarkun e miut është falas’. Çarku ndonjëherë mund të jetë dhe festival, si për shembull ai i Këngës Magjike.

***

Rreth 22 orë më parë një e-mail nga Bashkia e Tiranës ka mbërritur në të gjithë listën e adresave të redaksive në Shqipëri. Përmbajtja e tij kishte të bënte me mbjelljen e pemëve nga kryebashkiaku Erion Veliaj nën shoqërinë e dy personazheve të njohur: Genti Sala i AMA-s dhe Ardit Gjebrea i të ‘Dielës Shqiptare’.

Shkruan stafi i Veliajt:

‘…kantautori e prezantuesi i dashur për publikun, Ardit Gjebrea, iu bashkuan aksionit të Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e 100 pemëve të reja pranë liqenit të Farkës, si pjesë e projektit të Pyllit Orbital.

“Ndoshta, jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por siç thoshte Nënë Tereza, mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Të jam shumë mirënjohës për faktin që, si në skenë, si jashtë skene, mbetesh një artist model dhe më vjen mirë që falë këtij shembulli, edhe shumë të tjerë, ata që të ndjekin, apo shumë prej qytetarëve që kërkojnë mesazhe pozitive, do na bashkohen me këtë nismë”, nënvizoi Veliaj.’

Vazhdon më tej stafi i Veliajt për Gjebrenë:

‘’Sa herë që kam udhëtuar me makinë për në Maqedoni, në Mal të Zi, në Greqi, po ta keni vënë re, gjithmonë është si e prerë me thikë: Pjesa jonë është pa pemë, pjesa e tyre është me pemë dhe ti ndjen një keqardhje e thua: Çfarë ka ndodhur? Por, gjithmonë e kam parë, e kam konstatuar, por asnjëherë nuk e kisha marrë lopatën për të dhënë një kontribut. Pra, nuk duhet vetëm të themi: Pse ne kështu? Por, merr lopatën dhe bëje”, tha Gjebrea.’

Gjebrea nuk është vetëm i së ‘Dielës Shqiptare’ por edhe i ‘Këngës Magjike’, festival që e realizon përvit, çdo dhjetor.

Edhe vitin që shkoi, kështu ndodhi. Gjebrea bëri të ditur për publikun se qe Bashkia e Tiranës që po e mbështeste Këngën Magjike. Por ekspozimi i Bashkisë së Tiranës nuk mbeti me një falenderim ‘të thatë’, ai ishte ‘qepur’, batuta pas batutash edhe për kreun e saj, kryebashkiakun.

Sipas të dhënave të marra nga ‘Spending Data’, Veliaj e ka paguar Gjebrenë 87 milionë lekë (rreth 80 mijë dollar) për festivalin ku doli në skenë dhe bëri ca biçim batutash.

Gjebrea e ka marrë pagesën nga kryebashkiaku hokatar në 6 shkurt të këtij viti nëpërmjet transaksionit me ‘Shoqatën Jon Music’.

Buxheti vjetor i Teatrit Kombëtar në Shqipëri është 100 mijë dollarë, ndërsa PR-i i bashkisë te Kënga Magjike kushtoi 80 mijë dollarë./Hashtag.al

Batutat gjatë festivalit:

Erion Isai: Dhe një falenderim vërtet special për Bashkinë e Tiranës, për një staf fantastik (duartrokitje, Veliaj përshëndet me kokë)…për një staf fantastic që punon 7 ditë të javës, çdo ditë, çdo orë, çdo minutë, për ta bërë Tiranën më të jetueshme, më të bukur për të gjithë ne!

Faleminderit gjithë bashkisë! Faleminderit kryetarit të bashkisë! (Duartrokitje)

Dhe ta përshëndesim ‘Lali Erin’ se e kemi në sallë!

Bes Kallaku: Ku është?

Erion Isai: Lali Eri?

Bes Kallaku: E!

Erion Isai: Ja!

Bes Kallaku: Nuk është ‘Lali Eri’ ai! (Veliaj qesh) ‘Lali Eri’

(Isai pyet Gjebrenë): A është Lali Eri ai?

Ardit Gjebrea: Po Lali Eri është!

Bes Kallaku: Ore ja ku e ke ‘Live’ në Paskuqan, në Facebook, ja ku është! (Veliaj s’përmbahet dot nga e qeshura). Ja, ja, ja!

Batuta 2 gjatë festivalit:

Erion Isai: O Beso, o Ardit të lutem! Aldo shko pak te Lali Eri të lutem! (I kërkon kameramanit fokusim të Veliajt). Po a është Lali Eri ai?

Ardit Gjebrea: Është Lali Eri!

Bes Kallaku: Është Live në Paskuqan?! Ja njëkohësisht te liqeni me lopatë në dorë!Nuk është ai!

Erion Isai: Ooo, lali Eri mund t’ia bësh me dorë?! (Veliaj ia bën me dorë)

Bes Kallaku: Ja, live, kësaj nuk ke ç’i thu!

Erion Isai: Çfarë po bën?

Bes Kallaku: T’u e lëpi një qen. (Salla qesh) E shef? (Veliaj qesh fort, kamera e fokuson)

Erion Isai: Faleminderit të gjithëve për mbështetjen që i jepni këtij spektakli.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/