Objekte te Isa Boletinit, nga Shqipëria në Muzeun e Kosovës
Eksponatet e Isa Boletinit në Kosovë. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Kulturës së Kosovës Kujtim Gashi pas takimit me ministren Mirela Kumbaro në Tiranë.
Ministri Gashi shkruan gjithashtu se gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit midis dy ministrive përkatëse në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore, por dhe te e drejta e autorit. “Me ministren znj. Mirela Kumbaro u pajtuam të sjellim eksponatet e Isa Boletinit në Kosovë.
Gjatë takimit diskutuam për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit midis dy ministrive përkatëse në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore dhe atë të së drejtës së autorit, duke krijuar edhe hapësira dhe mundësi për intensifikimin e bashkëpunimit edhe ndërmjet skenës së pavarur kulturore të të dyja vendeve”, shkruan ministri Gashi në statusin e tij pas takimit në Tiranë me ministren e Kulturës Kumbaro. Duke marrë parasysh që ky vit është shpallur si “Viti i Skënderbeut” ministri Kujtim Gashi shkruan se gjatë këtij takimi u diskutua që të ketë më shumë aktivitete për të shënuar këtë vit. “Gjithashtu, u dakorduam që të nënshkruajmë kalendarin e përbashkët kulturor, si një traditë e mirë dhe shumë domethënëse për kulturën e te dyja vendeve, e cila do të ndodhë brenda muajit shkurt.
Marrë parasysh që viti 2018 është shpallur edhe Viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit -Skënderbeut, u pajtuam që të ketë më shumë aktivitete për të shënuar këtë përvjetorë me rëndësi për shqiptarët, si dhe organizimin e aktiviteteve për 10- vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, si vit jubilar festiv”, vijon ministri Gashi në statusin e tij. E duket se ky takim ka shërbyer shumë dhe për eksponatet e Isa Boletinit në Muzeun e Kosovës. “Shfrytëzova këtë rast, dhe kërkova nga ministrja shqiptare “huazimin” e disa eksponateve që i përkisnin heroit kombëtar Isa Boletinit, si: Xhamadani, ora, arma etj, të cilat do të bëheshin pjesë e eksponateve në Muzeun e Kosovës, dhe do të pasuronin edhe më shumë shënimin e 10- vjetorit të Pavarësisë”, vijon ministri Kujtim Gashi. Gjatë vizitës në Tiranë ministri Kujtim Gashi vizitoi edhe Muzeun Kombëtar të përgjimeve “Shtëpia e gjetheve” si dhe u takua me drejtues të institucioneve të kulturës në Shqipëri.