Shqiptarët përdorin antibiotikë pa kriter. Një studim i Organizatës Botërore të Shëndetsisë zbulon se 51% e shqiptarëve kanë përdorur antibiotikë muajt e fundit, edhe për një infeksion viral. Studimi thekson se në mjaft raste, afro 15% e tyre e përdorin antibiotikun vetëm me rekomandimin e farmacistit dhe pa u paraqitur tek mjeku specialist.
Ilda Lamçe, mjeke: Kemi shtim të rasteve të pacientëve të cilët vetëm mjekohen duke marrë ilaçe në farmaci. Adultët paraqiten më shpesh në farmaci. Problem kryesor është që antibiotiku është anti-bakterial, nuk është anti-viral. Kjo ngatërresë te pacienti bën që këto mikroorganizma të krijojnë dhe rezistencë.
Studimi tregon se 56 % e shqiptareve besojnë se viruset luftohen me antibiotik.
Ilda Lamçe, mjeke: 60 deri në 70% të rasteve janë infeksione virale. Ndodh që pacientët shkojnë në farmaci dhe duke u bazuar te simptomat kryesore që ata kanë të marrin mjekime me konsultën e farmacistit.
Shqipëria qëndron e katërta nga 14 vende që kanë përqindjen më të lartë të përdorimit të antibiotikëve edhe për të luftuar viruset. Mbi 60% e pjesëmarrësve ishin më pak se 40 vjeç. Arsyet më të shpeshta të raportuara për përdorimin e antibiotikut ishin për simptomat e ftohjes (24%), dhimbjet e fytit (21%), kolla (18%), dhe simptoma të ngjashme me gripin (16%). Infeksionet e traktit urinar dhe pneumonia u përmendën nga 9% e të anketuarve.