OLAF letër Dumanit: Mbyllni hetimet për Frida Krifcën ose çështja i kalon EUROJUST
29 Mars 2024
Nëse SPAK nuk mbyll hetimin brenda muajit prill 2024, prokurorët e EUROJUST do ta hetojnë vetë të kallëzuarën Frida Krifca dhe 7 vartësit e saj duke i thirrur në Bruksel; e nëse do refuzojnë të paraqiten vullnetarisht, do përdoren format dhe mjetet e detyrueshme ligjore ndërkombëtare, për t’i hetuar e gjykuar në izolim atje…
Në fillim të kësaj jave, drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, i është dërguar një letër-kujtesë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit e Korrupsionit Fondeve të BE, lidhur me kallëzimin penal që kjo zyrë e BE, ka bërë për korrupsionin me fondet bujqësore dhënë AZHBR në vitet 2017-2020.
Kallëzimin penal në SPAK, OLAF e ka bërë më 13 qershor 2021, për 134 milionë Euro grande të fondit “IPARD-II” të BE, të cilat nuk u janë dhënë fermerëve, por janë vjedhur me projekte false, u janë dhënë ndërtuesve të kullave, pushtetarëve e trafikantëve, me vendime të ish-Drejtores së AZHBR, Frida Krifca në bashkëpunim me vartësit e saj.
Më 22 qershor 2021, Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Komisionit Evropian, njoftoi kryeministrin Edi Rama, ish-Ministren e Bujqësisë, Milva Ikonomi dhe ish-Drejtoren e AZHBR, Frida Krifca, se BE do ndërpriste fondet bujqësore për Shqipërinë.
Kundër Frida Kircës dhe 7 vartësve të saj, OLAF depozitoi 74 dosje abuzimesh me fondet e fermerëve, duke kërkuar hetimin dhe vënien para përgjegjësisë penale, të autorëve të krimit financiar dhe detyrimin e përfituesve të paligjshëm, për të ri-kthyer milionat që kanë marrë.
Qysh prej muajit qershor 2021 kur BE bëri kallëzimin penal ndaj Frida Krifcës e vartësve të saj, SPAK nuk filloi asnjë proces hetimi, ndërsa në shtator 2021, kryeministri Edi Rama që e kishte marrë raportin e BE me abuzimet e fondeve, i bëri karshillëk duke e emëruar Ministre Bujqësie.
Në shtator 2022 e në janar 2023, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit, Korrupsionit e Vjedhjes së Fondeve të BE, depozitoi në SPAK edhe dy dosje me raste abuzimi të fondeve bujqësore, por SPAK e la në heshtje kallëzimin penal.
Në muajin maj 2023, përfaqësuesit e zyrës OLAF të BE erdhën përsëri në zyrat e SPAK, ku kërkuan sqarime për ecurinë e hetimit, ndërsa më 28 shtator 2023, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, deklaroi para mediave se ka nisur hetim për fondet bujqësore të BE.
Por hetimi u la përsëri në heshtje, dhe duke mos pasur asnjë veprim nga SPAK prej 2 vitesh e 9 muaj nga kallëzimi; madje as marrje në pyetje të Frida Krifcës, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit, Korrupsionit e Vjedhjes së Fondeve të BE, i ka dërguar një letër-kujtese Altin Dumanit në fillim të kësaj jave.
Sipas informacionit që ka siguruar “Pamfleti”, zyra OLAF e BE, i ka deklaruar kreut të SPAK Altin Dumani, se nëse nuk e mbyll hetimin e fondeve bujqësore brenda muajit prill 2024, dosja do çohet për hetim në EUROJUST, duke e trajtuar si “krim financiar ndërkombëtar”.
Që do të thotë, se prokurorët e EUROJUST, do ta hetojnë vetë të kallëzuarën Frida Krifca dhe 7 vartësit e saj; duke i thirrur në Bruksel, e nëse do refuzojnë të paraqiten vullnetarisht, do përdoren format e mjetet e detyrueshme ligjore, do përdoren format dhe mjetet e detyrueshme ligjore ndërkombëtare, për t’i hetuar e gjykuar në izolim atje.
Kujtojmë, që në letër-kujtesën e saj, zyra OLAF e BE, i ka bërë të qartë kreut të SPAK, Altin Dumani, se tej zgjatja me afro 3 vite e hetimit; përveç mungesës së drejtësisë ndaj krimit financiar me vlerë 134 milionë Euro kundër BE dhe mos dërgimit të autorëve para drejtësisë, ka pasojë bllokimin e fondit bujqësor “IPARD-III”.
Nga OraNews