Oligarku i Putinit mori 20 milionë euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit
26 Janar 2023
Oligarku Rus Oleg Deripaska i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe i lidhur me ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, përveçse është aksioner i njërës prej kompanive që ka ndërtuar hidrocentralin mbi lumin Shushicë në Shqipëri, rezulton se ka përfituar edhe rreth 20 milionë euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit përmes 3 tenderave, të dhëna mes viteve 2019-2021.
Të dhënat tregojë se Fondi Shqiptar i Zhvillimit i drejtuar nga Dritan Agolli në vitin 2019 ka shpallur fituese kompaninë e oligarkut rus “Trema Engieenering 2” për rikonstruksion i rrjetit të ujësjellësit Korçë-Përrenjas, me vlere 10 milionë euro.
Një vit më vonë, në 2020, Fondi Shqiptar i Zhvillimit i jep një tjetër tender kompanisë së miliarderit rus, që është pikërisht tenderi me vlerë rreth 2 milionë euro për ndërtimin e rrjetit rrugor dhe infrastrukturës urbane të Shijakut në kuadër të procesit të rindërtimit.
Po ashtu, FSHZH nuk ndalet, duke i dhënë tender sërish kompanisë “Trema Engieenering 2” në vitin 2021. Këtë herë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit i jep Tenderin me vlerë rreth 8 milionë euro për rikonstruksionin e segmentit rrugor Peshkëpi, hyrja e qytetit të Selenicës.
Ajo që bie në sy është se në dy prej këtyre procedurave kompania “Trema Engieenering 2” nuk ka pasur ofertën më të ulët, megjithatë është shpallur fituese nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Kompania “Trema Engineering” 2 ka 33 % të aksioneve në hidrocentralin e Shushicës.
Kjo kompani është në pronësi të STRATBAG AG, e cila rezulton me seli të regjistruar në Austri me kapital 12 milionë euro. Kompania ‘Trema Engineering 2″ në pronësi të Oligarku Rus Oleg Deripaska ka edhe dy aksionerë të tjerë të cilët janë shtetas austriak. Përkatësisht Hans Peter Haselsteiner me 28% të aksioneve dhe me po të njëjtën përqindje edhe aksioneri tjetër Klemens Peter Halesteiner./ Marrë nga BW