12 Korrik 2024

Olsi Rama është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për herë të dytë brenda dy javësh. Në një prononcim të shkurtër për mediat, Olsi Rama tha se u paraqit si person në dijeni për çështjen “Xibraka”. Ai tha se shpjegimet e tij ja ka dhënë personave përkatës.

““Dhashë shpjegimet e mia. Bëra detyrën time si qytetar. Por do doja të më pyesnit më shumë për Partizanin. Për çështjen Xibraka, si person në dijeni. Sqarova situatën”, deklaroi Olsi Rama.

Rama u paraqit në SPAK edhe para dy javësh. Ndaj tij ekziston një padi, për përfshirje në grupin kriminal të kokainës në Xibrakë. Ndërkohë që vetë ai për gazetarët dy javë më parë pranoi se ka udhëtuar me makinën e një personi që sipas dosjes së prokurorisë me të njëjtën makina kanë udhëtuar dhe Genci Xhixha, Ermal Hoxha dhe Gentjan Gjonaj. Rama për makinën që udhëtoi tha se në atë moment mund ta merrte dhe se nga trafikantët, pranoi se njihte një prej tyre.

Kreu i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike, Gazmend Bardhi ka njoftuar se SPAK i ka kthyer një përgjigje në lidhje me denoncimin e bërë nga vetë ai për dosjen “Xibraka”. Bardhi shkruan se SPAK ka konfirmuar se ka rinisur hetimet për akuzat e përfshirjes së vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama në laboratorin e drogës. Disa javë më parë, Bardhi solli në vëmendje laboratorin e drogës që u zbulua në 2015 në Xibrakë, ku i bëri thirrje SPAK të rihapë hetimet, pasi ishte i përfshirë edhe Olsi Rama. Kreu i Grupit të PD në deklaratat e tij për çështjen, tha se automjeti me targa AA653DM, është përdorur disa herë, bashkë dhe veçmas nga Olsi Rama, vëllai i kryeministrit dhe anëtarët kryesorë të grupit kriminal të Xibrakës, Genci Xhixha, Ermal Hoxha dhe Gentjan Gjonaj.

Gazeta Sot