Opozita e bashkuar publikon platformën e bashkëpunimit: Katër pikat që…

11 shkurt 2019

Partitë parlamentare të  opozitës, kanë publikuar sot platformën e tyre të bashkëpunimit, e cila është e përbërë nga katër pika kryesore.

Sipas platformës së opozitës bëhet me dijes e bashkëpunimi i tyre do të jetë i fokusuar në katër pika kryesore, ku theksi është vendosur tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe kthimi i legjitimiteti politik në vend.

PIKAT E BASHKËPUNIMIT

Partitë parlamentare të opozitës kanë rënë dakord për një platformë bashkëpunimi, e cila institucionalizon koalicionin opozitar për zgjedhjet e ardhshme.

Platforma është e ngritur në 4 shtylla kryesore. Përveç krijimit të koalicionit, partitë bien dakord se Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme është formimi i një Qeverie Tranzitore, e cila duhet të ketë mandat për 4 çështje kyçe:

  1. kthimin e legjitimitetit politik të qeverisjes në vend, nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare
    2. Krijimin e kushteve të domosdoshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme, parlamentare dhe vendore në Shqipëri, përmes dhënies fund të kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, oligarkia dhe korrupsioni i lartë shtetëror; realizimin e Reformës Zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit, presionit mbi median, si dhe eleminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje;
    3. krijimin e klimës së besimit për zbatimin e Reformës në Drejtësi, jashtë çdo ndërhyrje politike;
    4. krijimin e kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për antarësimin në Bashkimin Europian dhe ndërmarrjen e çdo Reforme të nevojshme për këtë qëllim.

Duke rikonfirmuar vullnetin se Integrimi Europian është prioritet kombëtar, koalicioni i opozitar shpreh gatishmërinë e plotë për të ndërmarrë çdo hap që bën realitet këtë prioritet.

Partitë e koalicionit opozitar po kështu shprehin vendosmërinë për të ndërmarrë çdo aksion politik, institucional apo ligjor për realizimin e kushteve që sigurojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe për t’i dhënë fund kapjes së qeverisjes dhe zgjedhjeve nga krimi i organizuar dhe paratë e pista të krimit dhe korrupsionit.

Hapi i ardhshëm pas dakortësisë me partitë parlamentare të opozitës është përfshirja në këte marrëveshje e të gjitha partive të koalicionit opozitar që janë aktualisht pa përfaqësim parlamentar.