“Opozita ka gati paketën anti-krizë”, Kryemadhi flet për dialogun dhe negociatat e fshehta: Është kusht i BE. S’behet sa herë që Rama, Mona apo Luli kanë…
“Opozita ka gati paketën anti-krizë”, Kryemadhi flet për dialogun dhe negociatat e fshehta: Është kusht i BE. S’behet sa herë që Rama, Mona apo Luli kanë…
17 shtator 2019
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka deklaruar sot se opozita e ka gati një paketë propozimesh për të zgjidhur krizën politike në vend.
Kryemadhi mohoi të ketë negociata të fshehta për zgjidhjen e krizës politike. Ajo nguli këmbë se opozita vazhdon të jetë e bashkuar dhe qëndrimin e saj të ndryshëm nga Lulzim Basha për t’u përballur në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, ajo e shpjegoi me arsyetimin se femrat janë më sfiduese se meshkujt.
“Unë gjithmonë e kam thënë që politika duhet të përballet me sfidat e saj. Basha ka shumë të drejtë sepse në çfarë zgjedhjeje do të hysh me një kryeministër që akuzohet për bashkëpunim me krimin për vjedhjen dhe blerjen e votës? Qoftë SHBA dhe BE nuk negociojnë me kriminelët, vetëm negociata të fshehta bëjnë. Politika shqiptare ka negociuar fshehtas këto 30 vjet dhe prandaj nuk e kemi kaluar tranzicionin. Portalet pranë Ramës trumpetojnë se do të ketë negociata të fshehta, por absolutisht nuk ka. Jemi në unison. Ne nuk kemi problem dialogun, e ka problem Edi Rama. Por, dialogu duhet të jetë institucional, ne nuk bëjmë dialog sa herë ka Rama problem. Një nga kushtet për hapjen e negociatave është dialogu. Dialog për gjithçka. Unë them që femrat janë më sfiduese se meshkujt. Pranojnë të përballen”, tha Kryemadhi.
E ftuar në A2CNN, Kryemadhi ka thënë se dialogu politik duhet të jetë institucional, pasi është dhe një nga kushtet e hapjes së negociatave.
“Politika dialog është dhe dialogu duhet të jetë institucional dhe dialog ne nuk bëjmë sa herë ka Rama problem, nuk bëjmë ne dialog sa herë ka Monika problem apo Luli apo Berisha etj.
Dialogu duhet të jetë institucional sepse edhe një nga kushtet që ka Bashkimi Europian përhapjen e negociatave është dialogu politik. Çdo të thotë dialog? Dialog do të thotë të bëjmë dhe për çmimin e ujit edhe për mungesën e ujit, dialog edhe për shkollat, do të thotë edhe për infrastrukturën, do të thotë edhe për korrupsionin, do të thotë edhe për reformën në drejtësi, do të thotë edhe për reformën zgjedhore, do të thotë shumë gjëra dialogu politik sepse për hir të se vertetës mungesa e dialogut politik, e institucionit të dialogut ka sjellë që Shqipëria sot e kësaj ditë të jetë në tranzicionin politik.
Mos harroni që kemi nisur procesin e integrimit europian përnjëherë më Kroacinë dhe sot Kroacia merr vendim në qoftë se duhet të hapen negociatat apo nuk duhet të hapen negociatat për Shqipërinë dhe imagjinoni sa larg për shkak të mungesës së dialogut politik ku ndërkohë Kroacia mori një vendim shumë të rëndësishëm kur u pranua dhe iu hapen negociatat që mori një vendim shumë të qartë dhe bëri një pakt kombëtar për Kroacinë ku axhenda e vetme nuk ishin as koncesionet, as financat, as politika dhe kishte vetëm një axhendë të qartë Kroacia, axhendën e integrimit europian, atë te cilën ne e kemi propozuar me kohë me më shumë se një viti e gjysme si Lëvizja Socialiste Për Integrim, por edhe si opozitë ku themi që kemi një paketë anti-krizë për sa i përket procesit të integrimit europian.
Hapja e negociatave do të zgjidhte njëherë e përfundimisht krizën në të cilën është përfshirë Shqipëria, jo vetëm po themi krizë shoqërore jo vetëm krizë sociale dhe ekonomike por mbi të gjitha edhe krizë mentaliteti sepse për hir të së vërtetës shqiptarët po bëhen më të mbyllur më depresiv e cila po i largon nga Shqipëria”, ka thënë Kryemadhi.
Integrimi
Kryetarja e LSI-së ka folur edhe për qëndrimet e kryeministrit Rama se Shqipëria do shikojë realitete të tjera në rast se nuk hapen negociatat.
Por për Kryemadhin Shqipëria ka vetëm një realitet dhe ai është integrimi në BE.
“BE është shumë i qartë në vendimin e tij. Nëse Reforma në Drejtësi do të kishte dhënë frytet e saj, BE do të kishte qenë kryesori që do të kishte përgëzuar. Një Reformë në Drejtësi e pa kapur dhe e pavarur nga politika është garanci për shqiptarët, për investimet e huaja dhe ato vendase.
Opozita është shumë e qartë dhe pozicionimi ekstrem i opozitës në jetën politike shqiptare, ishte diçka e domosdoshme për të pozicionuar Shqipërinë në BE, sepse deri në janar, asnjëri nga ne nuk e kuptonte se ku do të shkonte Shqipëria. Ndërkohë mos harroni që në dhjetor të 2017, gjithashtu edhe në disa round table të kryeministrit, ai ka deklaruar që nëse nuk do të hapin negociatat Shqipërisë, atëherë ne do të shikojmë realitete të tjera.
Realitete të tjera nuk ka për Shqipërinë dhe shqiptarët. Shqiptarët kanë vetëm një realitet dhe ai është BE. Nëse kryeministri ynë ka realitete të tjera, atëherë le të ngrejë plaçkat dhe të shkojë në realitetin e tij. BE-ja është e ardhmja e Shqipërisë. Opozita është në unison në qëndrimin e saj dhe kjo është e qartë. Opozita është e gatshme për t’u përballur me çdo platformë dhe për të qenë partnere e realizimit të çdo pakete kombëtare transparente, e cila anëtarëson Shqipërinë në BE, krijon një reformë në drejtësi të pavarur dhe të drejtë për shqiptarët, krijon luftë kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik, hap hapësira për punësimin e të rinjve, sepse vetëm në këtë mënyrë Shqipëria do të ketë mundësinë ti mbijetojë kësaj situate dhe kësaj krize të tmerrshme”, theksoi ajo.
Gazeta Panorama