“Opozita plan për të penguar integrimin”- Rama intervistë për “Associated Press”: Thirrjet për dialog do fillojnë pas…
“Opozita plan për të penguar integrimin”- Rama intervistë për “Associated Press”: Thirrjet për dialog do fillojnë pas…
Jun 21 qershor 2019
Kryeministri shqiptar tha të premten se qëllimi kryesor i opozitës është të pengojë përpjekjet e vendit për të nisur negociatat e plota të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Gjatë një interviste për “The Associated Press”, Rama tha se ishte i vendosur që zgjedhjet bashkiake të 30 qershorit do të mbahen pavarësisht trazirave të opozitës që nga mesi i muajit shkurtit.
“Është bërë për të ndikuar negativisht. Është bërë për të treguar në Evropë se ky vend nuk është i qëndrueshëm, se ky vend nuk meriton të merret seriozisht“, tha ai, duke iu referuar protestave të javëve të fundit, që “AP” i konsideron të dhunshme.
Partitë e opozitës së qendrës së djathtë po bojkotojnë votimet pas disa muajsh duke kërkuar zgjedhje të parakohshme kombëtare dhe duke akuzuar qeverinë për manipulimin e votave.
Rama nuk ofron asnjë zgjidhje tjetër përveç “është koha për të dëgjuar njerëzit”, duke shtuar se do të rifillojë thirrjet për dialog të pakushtëzuar pas votimeve.
Vendet e BE shtynë fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pavarësisht paralajmërimeve se një vonesë mund të dëmtojë përpjekjet e reformave dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.
Rama tha se argumentet e opozitës “nuk qëndrojnë”, duke shtuar se ka “një plan të qartë për të prishur procesin politik, procesin e negociatave me BE”.
Ai tha se udhëheqësit e opozitës kanë frikë se negociatat e anëtarësimit në BE do të hapen me fokus gjyqësorin.
“Vendi duhej të provonte se ky është një vend ku sistemi i drejtësisë nuk ka asnjë problem për të paditur, për të dënuar dhe për të parandaluar veprimtarinë kriminale të askujt”, tha Rama.
“Epoka e mosndëshkimit do të përfundojë dhe ky është problemi” për opozitën, tha ai.
Gazeta Panorama