Ora e Pirros dhe Sindroma e Stendhalit
Nga Gazeta Dita
“Sindroma e Stendalit” është një gjendje psikosomatike që përfshin rrahje të shpejta të zemrës, të fikët, konfuzion dhe madje halucinacione, e që supozohet se ndodh kur njeriu ekspozohet ndaj objekteve, veprave të artit ose fenomeneve të bukurisë së madhe.
Kjo “vuajtje e habitëshme” është emërtuar sipas shkrimtarit francez Stendhal (1783–1842) i cili përshkroi përvojën e tij me këtë sindromë kur vizitoi bazilikën e Santa Croces ne Firence dhe u pat pushtuar nga një emocion i thellë unik, duke u ndjerë keq fizikisht.
***
Një ndjesi të tillë keq’qënieje përjetova pas disa minutash që shihja orën më të pabesueshme që më kishin zënë sytë… atë që çmendurisht kish krijuar Pirro, një shqiptar si ne, aspak si ne!
– Ke një pikë raki? – i thashë i mekur.
Qe e pamundur të përqëndrohesha më gjatë në detajet e asaj mrekullie që ai me të drejtë e kish quajtur “Pasion Primordial”; vetëm një pasion i tille transhendental, që përmblidhte në një dyzinë prej cm3 kohën e pamatë të Arbërit, që nga prehistoria e xhubletës, klasiciteti iliro-romak e Renesansa e Andre’ Aleksit, deri te mekanizmi i përkryer bashkëkohor, brenduar nga “Aghenor”, që tregonte kohën me çapojt e shqipes “shgjetare”.
Valltarët, 12 syresh, të katërkëndëshit Malësi, Kalabri, Preshevë, Çamëri (me krejt cka në mes), si dhe katër muzikantët me lahutë, fyell, cifteli e gajde, nuk janë veçse 0,8-0,9 cm të lartë secili, (më pak se thoi i t’voglit të dorës). Një rafinim i paparë ndonjëherë ky, mes artit skulptural në miniaturë dhe përsosmërisë teknologjike të punimit të metaleve të çmuar (ar i verdhë, i bardhë, e i zi), kombinuar këto me mijëra pjesëza të qelqit Murano, montuar me ultraprecizion nën vakum, që shndrisin në sfondin delikat të t’gjithë nuancave të s’kuqes, mes së cilës ngrihet në një kompozim 3-dimensional masa e zezë e shqiponjës, në prehërin e së cilës luhen këngë mitike plot pasion nga bardët primordialë… reflekse këto të shpirtit të shqtësuar të Pirros… shqiptar si ne, aspak si ne!
Fati i kësaj ore ende nuk është përcaktuar; një konkurs i pamëshirshem është akoma për tu zhvilluar në Gjenevë, por ajo orë sot shënon për ne një të ardhme që vetem mund ta përfytyrojmë… (nëse do ja dalim të klonojmë talentin, vullnetin, këmbënguljen dhe çmendurinë e Pirros).