16 Nentor 2024

Pakti mes Melonit dhe Ramës për burgosjen e refugjatëve në Shqipëri merr një tjetër goditje nga organizatat humanitare që ofrojnë shërbime mjekësore për refugjatët dhe që i kanë bërë thirrje bluzave të bardha të mos përfshihen në të. Më shumë se dhjetë organizata ndërkombëtare mes të cilave “Mjekët pa Kufij”, “Emergjenca”, “Sea-ëatch”, “SOS Mediterranee” dhe grupe të tjera të ndihmës mjekësore kanë denoncuar shkelje të kodit të etikës mjekësore në procedurat që ndiqen për trajtimin e refugjatëve.

Organizatat humanitare, raporton AP publikuan një analizë të detajuar të procedurave të kontrollit të emigrantëve fillimisht në anijet detare italiane dhe më pas në kampet e izolimit në Shqipëri, ku parashikohet të ndahen refugjatët që janë të përshtatshëm për t’u burgosur në Shqipëri dhe ata që dërgohen në Itali.

Sipas këtyre organizatave nuk ka objekte apo instrumente të mjaftueshme për të bërë një përcaktim të tillë, pasi të gjithë ata që janë nisur drejt detit Mesdhe për të arritur në Itali kanë duruar abuzimin fizik dhe psikologjik, disa edhe seksual, ç’ka duhet t’i skualifikojë ata nga paraburgimi shqiptar.

Emigrantët duhet të diagnostikohen janë të rrezikuar nga çrregullimi i stresit post-traumatik ose pasoja të tjera të rënda fizike dhe mendore, thanë ata.

Grupet kritikuan organizatat ndërkombëtare që me sa duket po ndihmojnë në realizimin e projektit, si Organizatën Ndërkombëtare të Migracionit dhe trupat e shpëtimit italian të Kalorësve të Maltës si “bashkëpunëtorë” në shkeljet e të drejtave të njeriut.

“Protokolli Itali-Shqipëri shkel kodin e etikës mjekësore dhe të drejtave të njeriut dhe vë në rrezik shëndetin fizik dhe psikologjik të emigrantëve”, thuhet në deklaratë.

Marrëveshja është bllokuar nga një sërë pengesash dhe sfidash ligjore që kanë pamundësuar që edhe një emigrant i vetëm të trajtohet në Shqipëri.

Së pari, ishin vonesat në ndërtim ato që penguan hapjen e qendrave për disa muaj. Më pas, dy grupet e para të refugjatëve që u sollën në Shqipëri u kthyen në Itali me vendim të gjykatave italiane.

Çështja do të shqyrtohet në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Europian në Luksemburg, së cilës i është kërkuar të vendosë mbi ligjshmërinë e saj.

Organizatat humanitare që ofrojnë shërbime mjekësore për refugjatët nuk janë të vetmet që distancohen nga pakti Meloni-Rama. Më herët Amnesty International Italia lëshoi ​​një deklaratë për shtyp në të cilën përsëriti “shqetësimin e saj të fortë për shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut në lidhje me masat e parashikuara në Protokoll”.

Organizata ECRE (Këshilli europian i refugjatëve dhe azilkërkuesve) paralajmëroi se ishte “e parashikueshme që modeli Itali-Shqipëri do të çonte gjithashtu në shkelje të të drejtave të njeriut si burgosje të plotë dhe mungesë sigurie ligjore”, duke shtuar: “Me modelin e Shqipërisë, qeveria italiane po anashkalon qëllimisht Ligji i BE-së dhe minimi i reformës së CEAS-it të miratuar së fundmi”.

Gazeta Sot