Organizatës Botërore të Shëndetësisë. – Shqipëria raste të larta të tumoreve
8 Shkurt 2024
1 në 5 persona në botë zhvillojnë kancer gjatë jetës së tyre. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria renditet një ndër vendet me incidencë të lartë të rasteve me sëmundjet tumorale duke regjistruar 161 raste për 100 mijë banorë.
Gjatë një viti në botë janë regjistruar 20 milionë raste të reja me kancer. OBSH vëren se në 2022 në Shqipëri u diagnostikuan 8 mijë persona të prekur nga sëmundjet tumorale.
“Grupmosha më e prekur është 50 deri në 70 vjeç. Sot ka një tendencë gjithnjë e më tepër të uljes së pragut të moshës së shfaqjes së kancerit. Ka edhe mosha të reja”, tha mjekja onkologe, Elona Tola.
Kanceri i gjirit zë numrin më të lartë të të prekurve me 52 raste për 100 mijë banorë, e ndjekur nga kanceri i mushkërisë me 25.3 raste, ai i stomakut me 13 raste dhe prostatës me 12 raste për 100 mijë banorë.
Sipas mjekëve janë një sërë arsyesh që po ndikojnë në rritjen e kësaj sëmundje në popullatë.
“Me rritjen e moshës rritet edhe propabiliteti për shfaqjen e patologjive tumorale. Ekspozimi ndaj duhanit, përdorimi i alkoolit, një stil jetese sedentare”, tha mjekja.
Referuar të dhënave të OBSH, rritja e rasteve me sëmuddjet tumorale është shoqëruar edhe me rritje të vdekjeve nga kjo sëmundje. Afërsisht 1 në 9 burra dhe 1 në 12 gra humbin betejën me sëmundjen. Kanceri i mushkërive është i pari me 1.8 milionë fatalitete, i ndjekur nga kanceri kolorektal, ai i mëlçisë dhe i gjirit.
Sipas OBSH, deri në 2050 mendohet se rastet me kancer do të rriten me 77 %.