11 Nentor 2024

Deputetja Oriola Pampuri komentoi situatën politike në Shqipëri dhe u ndal konkretisht te aksionet e opozitës, e cila kërcënonte qeverinë me mosbindje civile dhe me bllokim të punimeve në Kuvend.

Ajo u shpreh në “Tirana Live” me gazetaren Erisa Gjerani se djegia e karrigeve në Kuvend nuk u intereson shqiptarëve, por vlerë për ta ka vijimi i reformave, që prekin drejtpërdrejt jetën e tyre.

Deputetja, e cila bën pjesë në grupimin e Lulzim Bashës, tha se mosbindjen civile nuk mund ta vazhdosh me kohë të pjesshme, siç bëri opozita.

“Shqiptarëve nuk u shërben djegia e karrigeve. Protestat janë normale, por këto që kemi parë, nuk janë as protesta dhe as mosbindje civile, dhe s’di çfarë emri t’i vendosi. Ata e quajnë mosbindje, unë s’e perceptoj ashtu. Ajo, pra, mosbindja civile nuk bëhet part-time. Do bëhet debat për buxhetin se është normale. Pasi është për funksionimin e jetës së shqiptarëve përgjatë një viti, si për pagat dhe për pensionet. Po çfarë vlere ka diskutim, kur t’i bashkon votat për dy çështje, çfarë vlere ka ky diskutim”, tha ai.

Ajo tha se bashkë me partitë të tjera të vogla kanë ankimuar në Gjykatën Kushtetues ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

“Ne kemi pasur tryeza të rrumbullakëta me parti të vogla. Ne e kemi çuar në Kushtetuese dhe kemi ankimuar Kodit Zgjedhor. Ne jemi këtu se kemi bërë një rekurs. Nuk e pranojmë këtë drejtësi, e cila u pa qartë që u ndikua. Ne do t’i shkojmë deri në fund për çështjen e vulës, nuk e lëshojmë, madje do ta çojmë deri në Strasburg”, tha ai.

Ajo u ndal dhe tek çështja e vulës, të cilën Gjykata e Apelit vendosi të njohë si kryetar të Partisë Demokratike Sali Berishën dhe jo Lulzim Bashën. Sipas Pampurit, këtë padrejtësi siç e quajti ajo do ta çojnë deri në Strasburg.

“Ne kemi menduar t’i shkojmë deri në fund çështjes së vulës në Gjykatën e Lartë dhe do ta çojmë deri në Strasburg”, tha ajo.

Pavarësisht se nuk kanë parti, Pampuri theksoi se disponojnë struktura dhe se do jenë alternativë në zgjedhjet e përgjithshme të 2025.

E pyetur për përbërjen e koalicionit, Pampuri nuk foli për emra konkretë, por shtoi se janë të mirëpritur të gjithë ata që ndajnë të njëjta parime me “demokratët euroatlantikë”.

“Kemi mbështetës, kemi demokratë. Do të marrin pjesë në zgjedhje, do kemi koalicionin në bashkëpunim me partitë e vogla. Do jemi alternativë. Është i mirëpritur të afrohet kushdo, që ndan parimet tona”, theksoi ajo.