Pajtim? Çfarë thotë një raport i OKB për shqiptarët dhe serbët
Pajtim? Çfarë thotë një raport i OKB për shqiptarët dhe serbët
14 shkurt 2020
Një raport i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, vë në pah që 79 për qind e shqiptarëve të anketuar besojnë deri diku se pajtimi ndëretnik është i mundshëm, ndërsa vetëm 47 për qind e serbëve e besojnë një gjë të tillë.
Sipas anketimit të kryer përgjatë vitit 2019, mbi 60 për qind e shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë thonë se marrëdhëniet në mes të dy komuniteteve vazhdojnë të jenë të tensionuara edhe 20 vjet pas përfundimit të luftës, ndërsa pajtimin e shohin si diçka të domosdoshme rreth 88 për qind prej tyre.
Me të vetmin përjashtim në Mitrovicën e Veriut ku 60 për qind e banorëve nuk e shohin pajtimin si të nevojshëm.
Sipas rezultateve nga anketa me titull “Pajtimi dhe bashkëjetesa në Kosovë, perceptimet e komuniteteve etnike”, 41 për qind e serbëve besojnë se arsyeja kryesore e tensioneve është mungesa e përpjekjeve nga shqiptarët sa i përket integrimit të tyre në shoqërinë e Kosovës, ndërsa vetëm 3 për qind e shqiptarëve e besojnë të njëjtën.
Shqiptarët kanë më shumë gjasa të flasin për ndikimin e Beogradit, rreth 30 për qind, qëndrimin e liderëve serbë rreth 24 për qind ose mosgatishmërinë e vet serbëve për t’u integruar rreth 26 për qind, si shkaqet kryesore të marrëdhënieve të tensionuara ndëretnike.
Përfaqësuesja e përhershme e Programit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Maria Suoko, tha se kërkohet komunikim më i madh në mes të dy komuniteteve për ta kuptuar dhe pranuar njëri tjetrin.
“Një pengesë të cilën ne duhet të ndihmojmë që të tejkalohet është pengesa e gjuhës. Të rinjtë në Kosovë nuk e flasin gjuhën e njëri tjetrit, dhe derisa gjuha angleze përdoret si gjuhë e përbashkët, mos komunikimi në gjuhën e njëri tjetrit është një pengesë”, tha ajo.
Sipas të gjeturave të këtij raporti vetëm 5.2 për qind e shqiptarëve dhe vetëm 1.4 për qind e serbëve të Kosovës vlerësojnë se marrëdhëniet në mes të të dyja palëve nuk janë aspak të tensionuara.
Ndërsa rreth 70 për qind e tyre e shohin si të rëndësishëm përfshirjen e komunitetit ndërkombëtar në procesin e pajtimit në mes tyre.
Christina Davis, nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtarë e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, e vlerësoi si shqetësuese nevojën për përfshirjen e faktorit ndërkombëtar.
“Derisa ndihma ndërkombëtare mund të ndihmojë në krijimin e mundësive për komunikim ndëretnik, më duket mjaft shqetësuese që 78 për qind e të anketuarve e shohin ende përfshirjen e komunitetit ndërkombëtar si shumë të rëndësishme. Kjo mund të tregojë se Kosova është ende shumë e varur nga komuniteti ndërkombëtar për të arritur pajtimin. Pajtimi fillon me individët”, tha ajo.
Ndërkaq më shumë se 50 për qind e shqiptarëve besojnë se pajtimi nënkupton edhe kërkim faljen, derisa vetëm 14 për qind e serbëve pajtohen me një gjë të tillë.
l.h/ dita