Pakt mes republikanëve Kosovë-Serbi/ Krerët e partive zotohen për njohjen reciproke dhe zbardhjen e krimeve
13 Mars 2023
Republikanët e Kosovës dhe të Serbisë zotohen për zbardhjen e krimeve të luftës dhe njohjen reciproke. Dy krerët e partive Faton Kurti dhe Sanduloviç kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me synimin për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënive mes dy vendeve.
Partia Republikane e Kosovës dhe ajo e Serbisë angazhohen për njohjen reciproke të dy vendeve dhe zbardhjen e krimeve të luftës. Krerët e dy partive kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për “njohje reciproke si dy shtete të pavarura dhe sovrane, hyrje të përbashkët në BE dhe NATO”.
Kryetari i Republikanëve të Kosovës, Faton Kurti, e cilësoi këtë marrëveshje si historike dhe nënvizoi hapat konkretë në zbardhjen e krimeve serbe ndaj shqiptarëve që nga viti 2015. Teksa, formimin e “Zajednicës”, e cilësoi rrezik për sovranitetin e Kosovës.
“Në kohën kur makina e propagandës serbe është më aktive se kurrë kundër Kosovës, historia rrezikon të shtrembërohet. Kurrë më parë gjatë historisë së njerëzimit, nuk ka ndodhur që nga viktima të kërkohet të bëhen lëshime, si formimi i “Zajdenicës” në Kosovë, duke rrezikuar sovranitetin e Republikës së Kosovës”.
Ndërsa kreu i Republikanëve të Serbisë, Nikola Sanduloviç, tha se kjo marrëveshje ëdhtë një hap drejt së ardhmes dhe premtoi se do të punojë në “kapjen” e kriminelëve të luftës.
“Po e përsëris qëndrimin tim, i cili nuk ka ndryshuar që 20 vjet, sepse kam dhënë premtim që të gjithë kriminelët që kanë kryer krime, do të përgjigjen para drejtësisë”.
Dy krerët e partive theksuan se republikanët të bashkuar njohin vetëm një rrugë për afrim dhe paqe mes dy popujve njohja, pranimi dhe të kërkohet falje nga ana e Serbisë për gjenocidin në Kosovë.
Nga OraNews