“Pakti për Universitetin”, çfarë mendojnë tani brenda auditoreve

14 tetor, 2019

Nga tetë pikat që përcaktohen në “Paktin për Universitetin”, janë plotësuar vetëm dy prej tyre.

Disa studentë janë entuziastë, ndërsa të tjerët thonë se nga protesta e studentëve vitin e kaluar nuk kishte ardhur ndonjë ndryshim i madh.

Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare tregon se kanë nisur një sondazh të ri të quajtur “Universitetet pas Protestës” për të parë qëndrimet dhe opinionin e studentëve, mbi realizimin e pikave të Paktit.

“Pakti për Universitetin funksionoi në aspektin e infrastrukturës së konvikteve dhe fillimit të procesit të Kartës se Studentit, por nuk u mbajt premtimi i vetingut akademik dhe masave anti- korrupsion në universitete. As procedurat e rekrutimit të stafeve akademike nuk u ri-panë dhe qeveria e nisi në paqe me pedagoget këtë vit akademik,” – thotë ai.

Në fakultetin e Histori-Filologjisë, oborri është i rrethuar nga makineri ndërtimi, për rregullimin e ambientit të jashtëm.

Dekani Sabri Laçi thotë se autoritetet drejtuese, stafi akademik e stafi ndihmës, të gjithë praktikisht janë të angazhuar për të përmirësuar gjithçka që është e mundur në universitet.

“Praktikisht ne vërejmë përmirësime për sa i përket kurrikulave, silabuseve, kushteve të punës dhe kushteve të mësimit, më shumë mobilitet për studentët” – tha ai.

Ai shton se “ka projekte për të hapur edhe dy ose tre programe të reja vitin e ardhshëm, ndërsa të gjitha departamentet kanë projekte për përditësimin e kurrikulave me qëllim afrimin e tregut të punës”.

Disa studentë që janë pjesë e “Lëvizjes për Universiteti” ishin përpara dyerve të Ministrisë së Arsimit duke protestuar dhe duke u shprehur se ky është fillimi i protestave, në mënyrë që qeveria të plotësojë kërkesat sipas premtimit.

Në një numër të pakët ata janë shprehur se “sakrifica e prindërve tanë, ideali i arsimit publik për të gjithë dhe besimi tek njëri tjetri janë ajo ç’ka na bashkojnë”.

Nën thirrjen “Arsim publik falas” ata thonë se “Pakti për Universitetin” nuk ka funksionuar.

Viti i ri akademik filloi me 22 mijë studentë që u ulën për herë të parë në autoret e universiteteve.

Në universitetet e rretheve ka pasur edhe mbyllje të disa degëve si matematikë-fizikë, gjuhë e huaj italiane, pasi studentët nuk i kanë përzgjedhur.

Ndërsa Mësuesia është renditur për herë të parë e treta në preferencat e maturantëve pas ekonomikut dhe shkencave sociale, pasi rreth 16 % e studentëve janë regjistruar aty.

Së bashku me vitin e ri akademik ka nisur gjithashtu edhe faza e tretë e aplikimeve për pranimet në universitetet publike në vend.

Autoritetet arsimore bëjnë me dije se në dispozicion janë rreth 4000 kuota të pa plotësuara – ve në dukje një raportim i portalit SI.

e.ll./dita