19 Dhjetor 2024

Studentët zhvilluan një protestë duke marshuar nga ambientet e universitetit deri pranë Ministrisë së Arsimit.

Ata kërkuan përmbushjen e premtimeve të bëra në kuadër të “Paktit për Universitetin”, i cili është injoruar që nga viti 2018.

Studentët kërkojnë rritjen e buxhetit për arsimin në 5 përqind, gjithashtu, edhe transparencë me buxhetin nga MAS.

Ndër të tjera, studentët kërkojnë rritjen e peshës të votës për zgjedhje, po ashtu, kërkohet rishikimi i titujve akademikë.

Një tjetër arsye që ka nxitur zemërimin e studentëve është dhënia e kampusit universitar të Universitetit të Tiranës për Kolegjin e Europës.

Ata theksuan se vendimi për këtë transferim është bërë pa konsultim me studentët dhe pedagogët.

Për më tepër, studentët shprehën shqetësimin se punimet për ndërtimin e Kolegjit të Evropës tashmë kanë nisur në atë kampus.

Ata janë kundër përdorimit të hapësirave universitare për projekte të tjera, duke kërkuar që këto të mbeten në shërbim të tyre.

Protestës iu bashkua edhe pedagogia dhe anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana.

Kuçana shprehu mbështetje për studentët, duke e cilësuar vendimin e qeverisë si të papranueshëm dhe të dëmshëm për arsimin publik.

Studentët paralajmëruan se protesta do të vazhdojë derisa vendimi të rishikohet dhe kërkesat e tyre të dëgjohen.

Protesta po zhvillohet në mënyrë paqësore, duke shënuar një tjetër përpjekje të studentëve për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Nga OraNews