“Pallati Stratigò”, dëshmi e kulturës arbëreshe që prej vitit 1533
“Pallati Stratigò”, dëshmi e kulturës arbëreshe që prej vitit 1533
5 NËNTOR 2020
Pallati Stratigò, është një ndër ndërtesat më të njohura në Lungro, një nga “qytezat e Arbërisë”, siç preferojnë ta quajnë arbëreshët e Italisë shumësinë e ngulimeve të tyre në jug të vendit fqinj. Ndërtimi i përket kohës së Rilindjes Italiane, në shekullin e XVI.
Aty banonin njerëz të kulturës, mjekë, magjistratë dhe noterë, por personazhi më i shquar ishte poeti Vincenzo Stratigò dhe nëna e tij patriote Matilde Mantile.
Vincenzo Stratigò, ishte gjykatës dhe një protagonist i shquar i Rilindjes Italiane. Veprat e tij të shkruara në italisht dhe në arbërisht, janë studiuar brenda dhe jashtë Italisë. Në faqatën e jashtme të pallatit ka një pllakatë që e përkujton protagonizmin e tij të datës 16 korrik 1859, në mesnatën e të cilës udhëhoqi turmat me motin “Unë besoj tek Italia”, duke i nxitur në lëvizjen për bashkimin e territoreve italiane në një shtet të vetëm. Ky angazhim i tij e detyroi të arratisej nga vendlindja e tij për vite me radhë, ndërsa e ëma Matilde dhe vëllezërit Giuseppe e Demetrio u arrestuan dhe u burgosën.
Kur hyn sot si vizitor për të kundruar pallatin Stratigò, të bien në sy tavanet e pikturuara dhe një bibliotekë e shekullit të gjashtëmbëdhjetë që të shpien në të kaluarën dhe në historinë e Arbërisë. Ndërtesa nuk ka pësuar asnjë ndryshim me kalimin e kohës, ka mbetur siç ishte në fillim. Familja Stratigo u zhvendos aty në vitin 1533, kur emigroi nga Shqipëria, dhe pas pak përshtatjeve që i ka bërë për jetesën e saj, nuk ka pasur më asnjë ndryshim. Shtëpia është gjithmonë e hapur për studiues dhe vizitorë, por është përshtatur edhe si hotel me vetëm një vakt në mëngjes dhe një restorant të vogël, ku mund të shijohet kuzhinë arbëreshe, rrethuar me libra dhe rroba të periudhës së Rilindjes Italiane.
Material i përkthyer nga viviamolacalabri.