Pamjet e para mahnitëse nga thellësitë e kanioneve të Nivicës. –
ATSH/.- Për 10 ditë me radhë një ekip alpinistësh profesionistë nga Holanda, Slovenia, Franca dhe Australia bënë zbritje me litarë në disa prej majave më të vështira të kanioneve të Nivicës, në malësitë e Kurveleshit, duke pasur mundësi t’i eksplorojnë ato në thellësitë mbi 200 metra.
Nga këto thellësi vijnë edhe fotot, që për herë të parë sjellin imazhe të bukurive mahnitëse të këtyre kanioneve, që për gati 30 km përshkojnë malësitë e Kurveleshit.
Fotografitë u publikuan nga Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare, i cili theksoi rëndësinë e madhe të ruajtjes së këtyre kanioneve. “Do t’ju njohim në vazhdimësi duke ju sjellë imazhe të reja si dhe fakte mbi ujëvarat, thellësitë si dhe mundësitë e zhvillimit të turizmit të sporteve ekstreme në këtë zonë”, shkruan Tare.
Nga: ATSH