Pandeli Majko bën luftë klasash si trafikant i votës, duke e trajtuar komunitetin e votuesve të PS si klientin e tij.

Nga Elida Buçpapaj

Vendi jo i favorshëm që ka në listë Pandeli Majko e bëri të ndërmarrë nga ato veprimet e tij të zakonshme, të blejë elektoratin me paren publike.

Në një dokumentar të përfshirë tek Opinion i Blendi Fevziut, në një dialog me Drini Zeqon, Pandeli Majko u bën ftesë të qartë votuesve të PS ta votojnë sepse ai u siguron punë e bukë.

Pandeli Majko vepron si një shkelës i ligjit, shfrytëzon pushtetin politik dhe së pari, ble një media, Klanin që pastaj këtë dokumentar t’ua shpërndajë nëpër celularë të gjithë banorëve të zonës ku ai është kandidat.

Është një akt i mirëfilltë kriminal!

Edhe sepse Pandeli Majko i premton punë dhe bukë vetëm komunitetit të votuesve të PS.

A është e mundur që sot në Shqipëri të zbatohet lufta e klasave apo lufta civile si në kohën e diktaturës!

Jo, është e pamundur!

Atëhere Pandeli Majko bën “luftë civile” në mënyrë moderne, duke iu përshtatur kushteve që ofron shekulli XXI, kur Shqipëria është vend anëtar i NATO-s:

Pra shkurt, Pandeli Majko duke shfrytëzuar postin si zyrtar i lartë publik, së pari ble TV Klan – sepse në bazë të paritetit – do të duhej që të gjithë kandidatët e partive politike që garojnë në Shqipëri, Blendi tek Opinioni i Klan-it t’iu dedikonte nga një dokumentar me të njëjtën minutazh. Por Blend Fevziu privilegjon vetëm Pandeli Majkon!

Në dokumentarin në fjalë, të përfshirë mbrëmë fill pas intervistës së kryeministrit Rama, për të përfituar sa më shumë vizibilitet, Pandeli Majko në mënyrë eksplicite i premtoi komunitetit të Socialisteve punë, duke nënvizuar faktin se kur PS u kthye në pushtet, ky komuniteti ishte i papunë dhe shoku Pandi, ministri aktual i diasporës që për katër vjet e përçau dhe e klientelizoi komunitetin e diapsorës, e punësoi dhe u premton vazhdimësi.

Pra shikoni se si e ushtron luftën e klasave Pandeli Majko, përmes bukës së gojës.

Do bukë goje, më voto mua Pandeli Majkon, u thotë paraziti qytetarëve!

Ky trafikant i vendeve të punës, prej kur ka dalë nga bankat e Universitetit, nuk e ka bërë asnjë orë punë dhe të gjitha rrogat e privilegjet i ka me paranë e taksapaguesve të cilët janë të të gjithë spektrit politik!

Si ministër i diasporës Pandeli Majko ka përdorur metodën e klientelizmit edhe për të përçarë diasporën në Europë, SHBA, Kanada, kudo ku ka vënë këmbën. Edhe në Zvicër. Me paratë e projekteve të Perëndimit e Konfederatës Helvetike, Pandeli Majko ka krijuar një rrjet organizmash antiligjore për të paguar enturazhin dhe klientët e PS në Perëndim, duke mbjellë përçarje dhe nivel të ulët profesional.

Ai deputet i cilësdo partie që i premton votuesit të vet punë, ndërsa votuesit të partisë kundërshtare papunësi është shkelës i ligjit, është trafikant i votës të lirë, njëlloj sikur ai që e shet votën me një thes me miell apo me para në dorë!

Në një sistem demokratik subjektet e ndryshme politike garojnë se kush është më i zoti t’i krijojë kushte sa më optimale të gjithë komunitetit pa dallime politike dhe kësisoj nga kredibiliteti ky kandidat apo subjekt politik votohet.

Nëse në Shqipëri do të ekzistonte shteti i së drejtës, dokumentari kushtuar Pandeli Majkos ku ai shpërndan ndasi, përçarje dhe e blen elektoratin si klient, jo vetëm duhet të ndalohej por edhe Pandeli Majko do të duhej të përjashtohej nga gara.

Gara e deputetëve duhet të jetë free and fair!

Ndërsa Pandeli Majko sillet si trafikant vote në sy të të gjithë opinionit publik dhe me ndihmën e një televizioni kombëtar bën luftë civile ndaj votës së lirë, sepse ia vjedh lirinë e votës qytetarit duke ia kushtëzuar me bukën e gojës: me Pandeli Majkon ke punë dhe bukë, nëse ia jep votën atij tjetrit, mbetesh pa bukë!

A është luftë klasash kjo?!

A nuk zhvillohej lufta e klasave si luftë civile brenda kombit?

Nëse Pandeli Majko do t’i ofronte punësim gjithë komunitetit pa dallime politike, partiake do të kryente obligimin kushtetues, të cilin Pandeli Majko e ka shkelur me të dy këmbët, sepse i ofron punë dhe ekzistencë vetëm votuesit socialist.

A jetohet dot pa bukë e punë?

Jo, kur s’ke punë e bukë ose merr ikën jashtë Atdheut, ose bëhesh skllav i trafikantëve me pushtet politik të votave!