16 Qershor 2023

Dhjetë vite më parë më 2012, popullsia e vendit ishte 2,9 milionë banorë dhe kishte 20,870 vdekje.

Vitin e kaluar, popullsia zyrtare e vendit ishte 2,793,592, por personat që humbën jetën arritën në 23,998, sipas të dhënave të INSTAT.

Gjatë 10 viteve të fundit, numri vjetor i vdekjeve u zgjerua me 15%, ndërsa popullsia zyrtare, u reduktua me 3.7%.

Ekspertët se sektorit shëndetësor analizojnë se numri në rritje i vdekjeve po vjen për dy arsye kryesore. E para lidhet me efektet e pandemisë Covid -19 dhe e dyta, me plakjen e popullsisë.

Pandemia Covid-19, përveçse rriti në mënyrë të konsiderueshme vdekjet gjatë 2020 dhe 2021, u bë shkak edhe për shtimin e barrës së sëmundjeve në popullatë. Shumë persona vuajnë nga sëmundje kronike pas pandemisë dhe shifrat tregojnë për një rritje të prevalencave të diagnozave në krahasim më përpara pandemisë.

Nga ana tjetër, ndryshimi i strukturës së popullsisë drejt plakjes së shpejtë, po rrit varësinë drejt moshave me të vjetra. Një popullsi më e vjetër ka më shumë gjasa të ketë predispozitë më të lartë për rritjen e vdekjeve.

Struktura e popullsisë së vendit po përkeqësohet me ritme të shpejta, nga rënia e shpejtë e lindjeve, rritja e vdekjeve, dhe emigracioni i lartë. Vitin e kaluar numri i lindjeve për tremujorin e parë 2023 është 5.164, duke shënuar rënie me 16,9 %. Vitin e kaluar 2022 lindën 24.688 foshnja, duke shënuar një rënie vjetore me 9,3%.

Teksa vdekshmëria është në trend rritje, disa sëmundje po përparojnë më shpejt dhe disa të tjera po shënojnë rënie.

Mirëpo në Shqipëri, statistikat mbi shkaqet e vdekjeve shoqërohen me gabime të mëdha pasi një pjesë e madhe e vdekjeve nuk janë të asistuara nga mjekët dhe shkaku i jepet nga raportimet e familjarëve.

Kjo anomali është e lartë, përderisa “vdekjet nga shkaqe të panjohura” përfaqësojnë shkakun e dytë më të madh të vdekjeve. Gjatë vitit të kaluar, u raportuan 4868 vdekje nga “shkaqe të panjohura” me rritje 100% në krahasim me vitin 2012.

Në krahasim me vitin 2012 kanë përparuar shpejt vdekjet nga “Sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut” me 16% në raport me vitin 2012. Vitin e kaluar ky grup sëmundjesh ishte përgjegjës me 54 të vdekjeve nga rreth th 53% më 2012.

Rritje me 27% kanë shënuar edhe vdekjet nga “Sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes” përgjatë dekadës.

Në raport me 10 vite më parë vdekjet nga sëmundjet mendore janë rritur me 20% dhe vdekjet nga sëmundjet rreth periudhës së lindjes janë rritur me 68%. Nga ana tjetër janë ulur vdekjet nga neoplazmat me 13%, dëmtimet dhe helmimet me 39% etj.

Monitor

Nga Gazeta Dita