“Pandemia na riktheu qytetin”. Amsterdami nuk i do më turistët
“Pandemia na riktheu qytetin”. Amsterdami nuk i do më turistët
26 QERSHOR 2021
Shumë vende po përpiqen e shfrytëzojnë të gjitha mënyrat për të tërhequr sërish turistët pas më shumë se një viti kufizimesh prej pandemisë. Por, në Amsterdam nuk i duan.
Banorëve të qytetit të zhurmshëm holandez me tolerancë të lartë ndaj drogërave dhe prostitucionit të ligjshëm u ka shijuar pandemia dhe thonë se për herë të parë iu larguan zhurmat dhe ndotja që vjen bashkë me turizmin.
Atmosfera e qetë dhe me pak qarkullim prej më shumë se një viti riktheu banorët vendas në qendrën historike të qytetit me kanalet piktoreske. Rezidentët i kishin shmangur prej vitesh këto zona dhe tani që i rimorën nuk duan që t’i ndajnë më me turistët.
Por, për bizneset kjo është një tjetër gjë.
“Vërtetë pandemia na riktheu qytetin dhe na pëlqeu, por pa turistët muzetë, restorantet dhe baret e mrekullueshme të Amsterdamit do të falimentojnë”, thotë Nicola Theobald, që jeton në qendrën historike të qytetit prej 30 vitesh.
Amsterdami vuante prej vitesh mbipopullimin për shkak të turistëve. Para pandemisë, autoritetet vendase llogarisnin që rreth 42 milionë njerëz të vizitojnë qytetin çdo vit deri në vitin 2030, nga 18 milionë që ishte në vitin 2018.
Nisur nga numri i madh i turistëve që vizitojnë këtë vend, bordi mbikëqyrës i turizmit po merr masa paraprake për ndalimin e promovimit të vendit si një destinacion turistik. “Është normale që në një vend si Holanda të ketë kaq shumë vizitor, por për të qenë në gjendje për të kontrolluar numrin e madh të turistëve që hyjnë çdo vit, ne duhet të marrim masa tani” , thuhet në dokumentin e menaxhimit të turizmit të 2017-s.
“Në vend të promovimit të destinacionit është koha për menaxhimin e destinacionit”, thuhet në dokumentin që parashtron strategjinë dhe sugjeron se kjo mund të kërkojë që në mënyrë aktive të largojë njerëzit që të vizitojnë zona të caktuara përmes mbylljes së këtyre pikave, siç janë: kopshti i tulipanëve, mullinjtë e erës, apo fshatrat e vegjël piktoresk.
“Standardi i jetesës së disa prej banorëve të vendit është thënë të jetë nën presion. Turizmi nuk është një qëllim, në këtë perspektivë”, tha një zëdhënëse e bordit turistik për strategjinë, e cila u krijua në fund të vitit të kaluar.
Strategjia synon promovimin e zonave të tjera të Holandës dhe jo Amsterdamin, të cilat kanë një nevojë të dëshpëruar, për t’u vizituar nga turistët, zona të cilat ndodhen në veri të vendit.
“Ne bëjmë promovim, por jo për kryeqytetin tonë”, tha ajo. Amsterdami, me1.1 milion njerëz, tërheq më shumë se 17 milionë vizitorë në vit.
Gazeta Shqip