Panik në drejtësi, 4 gjyqtarë japin dorëheqjen në bllok pas zbulimit të pasurive të dyshimta, valë largimesh edhe në prokurori.
Panik në drejtësi, 4 gjyqtarë japin dorëheqjen në bllok pas zbulimit të pasurive të dyshimta, valë largimesh edhe në prokurori
11 SHKURT 2020
Ecuria e reformës në drejtësi, procesi pozitiv i vetingut, kushti i Bundestagut gjerman dhe vendosmëria e kryeministrit Edi Rama për të hetuar gjyqtarët dhe prokurorët me probleme, ka alarmuar njerëzit e drejtësisë. Deri më tani të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që janë zhytur në afera kanë përfunduar jashtë sistemit të drejtësisë, ndërsa një pjesë e tyre rrezikojnë të ndiqen edhe penalisht. Por kohët e fundit është vënë re se një pjesë e njerëzve të drejtësisë po dorëhiqen para se të dalin para komisioneve të vetingut dhe të njihen me gjetjet që ekspertët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kanë konstatuar sa i takon hetimit në tre shkallët, sikundër është ajo për pasurinë, integritetin moral dhe profesional, si dhe pas kushtit të Gjermanisë, e cila kërkon hetime për të ngelurit në veting, si një nga kushtet që duhet të plotësojë Tirana zyrtare, në mënyrë që t’i çelen negociatat me BE.
4 gjyqtarë japin dorëheqjen në bllok
Gazeta ka bërë një bilanc dhe nga java që shkoi deri më tani që po flasim, janë plotë katër gjyqtarë që kanë dhënë dorëheqjen pas zbulimit nga vetingu të pasurive të dyshimta. Më konkretisht, ditën e djeshme përmes një njoftimi KPK bëri me dije se janë dorëhequr Marina Rraboshta, gjyqtare në Gjykatën e Apelit Shkodër dhe Ketra Bajrami, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë. Ndërkohë, sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në datën 7 shkurt është dorëhequr Liljana Sulollari (Baku), gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, ndërsa në datën 5 shkurt është dorëhequr Stavri Kallço, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Korçë. Për të gjithë emrat është ndërprerë proces i vetingut, ndërsa është zbuluar se si ata janë larguar sapo janë njohur me zbulimet e KPK. Sipas ligjit, KPK gjatë procesit të vetingut shkëmben korrespodenca me gjyqtarët dhe prokurorët që janë duke hetuar nga komisioni, ku në disa raste që ka paqartësi, kërkon nga ta informacione shtesë. Mirëpo në sajë të korrespodencave, kushdo e kupton nëse KPK ka bërë zbulime që mund të të fundosin dhe kjo ka bërë që të kemi dorëheqje. “Subjekti i rivlerësimit u njoftua me përbërjen e trupit gjykues të shortuar në datën 12.11.2019 dhe iu kërkua të deklaronte nëse ishte në kushtet e konfliktit të interesit me anëtarët e tij. Në përgjigje të e-mail-it, të dërguar sipas pikës 6 më lart, subjekti i rivlerësimit, me anë të postës elektronike, deklaron se nuk ka konflikt interesi me anëtarët e trupit gjykues. Më datë 27.11.2019, me anë të postës elektronike, subjektit iu kërkua të deklaronte në përputhje me pyetësorin standard. Subjekti kërkoi zgjatje të afatit për përgjigjet, duke vënë në dispozicion të Komisionit një raport mjekësor për paaftësi të përkohshme në punë. Për këtë arsye, subjektit iu dha një afat i ri, që përfundonte më datë 12.12.2019”, thuhet në vendimin për Ketra Bajramin.
Valë largimesh edhe në prokurori
Por vala e dorëheqjeve nuk është kthyer në trend vetëm nga gjyqtarët, pasi e njëjta strategji po përdoret edhe nga prokurorët, të cilët për t’i shpëtuar darëve të vetingut, kanë zgjedhur me dëshirë të largohen nga sistemi i drejtësisë. Bëhet fjalë për prokurorin e Prokurorisë së Pogradecit, Erion Pustina, i cili ka paraqitur dorëheqjen para Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ky i fundit do të vendosë në mbledhjen e sotme për fatin e prokurorit Pustina. “Miratimi i projektaktit për pranimin e dorëheqjes së prokurorit Erion Pustina, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec”, thuhet në njoftimin e KLP. Pra, edhe në rastin e Pustinës, ai ka dhënë dorëheqjen sapo është njohur me aktet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, rrugë kjo që do ta shpëtojë atë nga ndëshkimi. Ndërkohë, gjatë muajit të fundit janë dorëhequr edhe dy prokurorë të tjerë. Më konkretisht, ka dhënë dorëheqjen Agim Dilka, prokuror në Prokurorinë e Elbasanit dhe Marjana Shtjefni, prokurore në Prokurorinë e Shkodrës.
Gazeta Sot