Papa emëron Imzot Rrok Gjonlleshaj Administrator Apostolik tё Kotorit
Papa emëron Imzot Rrok Gjonlleshaj Administrator Apostolik tё Kotorit
Ati i Shenjtë emëroi Administrator Apostolik sede vacante ( nё selinё vakante) të dioqezës sё Kotorit shkëlqesinë e tij Imzot Rrok Gjonleshaj, kryeipeshkёv i Tivari (Mal tё Zi)
Nga: R.SH. – Vatikan
28 shtator 2019,
Ati i Shenjtë pranoi dorëheqjen e qeverisë pastorale të dioqezës së Kotorit (Mali Zi) paraqitur nga shkëlqesia tij Imzot Ilija Janjić.
Ati i Shenjtë emëroi sot 28 shtator 2019 Administrator Apostolik sede vacante ( nё selinё vakante) të dioqezës sё Kotorit shkëlqesinë e tij Imzot Rrok Gjonleshaj, kryeipeshkёv i Tivari (Mal tё Zi).
Papa Françesku vendosi kështu të dërgojë një Administrator Apostolik, në personin e Shkëlqesisë së Tij Imzot Rrok Gjonlleshaj, për ta marrë nën mbikqyrje e udhёheqje dioqezën e Kotorit, pasi pranoi dorëheqjen e ipeshkvit aktual, imzot Ilija Janjić.
Imzot Rrok Gjonlleshaj lindi më 10 shkurt 1961 në Velezhë, afër Prizrenit. Pasi përfundoi formimin shkollor në vendlindje, vijoi me studimet filozofike dhe teologjike në Seminarin e Rijekës, në Kroaci.
U shugurua meshtar në vitin 1987 e më pas, shërbeu në shumë famulli kishtare, së pari si Vikar e pastaj si Famullitar. Ishte edhe drejtor i Radio Marisë nё Kosovё, emitentes katolike lokale dhe bashkëpunëtor me revistën fetaro-kulturore “Drita” tё dioqezёs Prizren-Prishtinё.
Deri në emërimin pёr Kryeipeshkёv tё kryedioqezёs sё Tivarit, nё Mal tё Zi, më 5 prill 2016, ishte famullitar i Kishës së Shna’Ndout në Prishtinë e njëkohësisht, kryente edhe detyrën e ekonomit të Administraturës Apostolike të Prizrenit. Pas detyrës sё re e të rëndësishme të udhëheqjes sё Kryedioqezёs së Tivarit, tani nga Papa Françesku i besohet edhe njё Kishё tjetёr dioqezane, ajo e Kotorit, deri nё emërimin e ipeshkvit tё ri tё saj.