Papa Françesku paralajmëron liderët botërorë për rreziqet nga inteligjenca artificiale
15 Qershor 2024
Papa Françesku u bë Papa i parë që iu drejtua një samiti të shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7), duke paralajmëruar liderët botërorë se Inteligjenca Artificiale nuk duhet të lejohet kurrë të ketë epërsi mbi njerëzimin.
Papa tha Inteligjenca Artificiale përfaqëson një “transformim epokal” për njerëzimin, por theksoi nevojën për mbikëqyrje të ngushtë të teknologjisë gjithnjë në zhvillim, për të ruajtur jetën dhe dinjitetin njerëzor.
“Asnjë makineri nuk duhet të zgjedhë kurrë t’i marrë jetën qenies njerëzore,” tha ai derisa shtoi se njerëzit nuk duhet të lënë që algoritmat e superfuqishme të vendosin për fatin e tyre.
Samiti i G7-ës, i cili po mbahet në Itali, mbledh së bashku liderët e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Britanisë, Francës, Italisë, Kanadasë dhe Japonisë.
Papa Françesku pranoi se Inteligjenca Artificiale mund të zgjerojë qasjen në njohuri në mbarë botën.
“I takon të gjithëve që ta përdorin mirë (Inteligjencën Artificiale) por përgjegjësia i takon politikës për të krijuar kushtet që një përdorim i tillë i mirë të jetë i mundur dhe frytdhënës”, shtoi ai.
Në një draft të deklaratës së tyre përmbyllëse, liderët e G7-ës thanë të premten se ata do të hartojnë një plan për të parashikuar aftësitë dhe nevojat e ardhshme arsimore për të përfituar nga revolucioni në pritje i Inteligjencës Artificiale./REL